Site icon

Inzagi nuk flet, drejtuesit zikaltër mësyjnë në Apiano

Simone Inzagi ka zgjedhur të heshtë para ndeshjes me Juventusin dhe nuk është prononcuar as në konferencën e zakonshme për shtyp dhe as për kanalin e klubit.Tri humbjet radhazi në kampionat e kanë rënduar së tepërmi atmosferën e zikaltërve dhe trajneri nuk ka dashur të shtojë edhe më shumë presionin nga faktorë të jashtëm mbi skuadrën e tij. Përveç kësaj lëvizjeje, 46- vjeçari ka zgjedhur po ashtu të mos grumbullojë skuadrën ditën e djeshme, duke tentuar kështu të bëjë psikologun dhe t’ua lehtësojë gjendjen psikologjike djemve të tij duke i lejuar të qëndrojnë me familjet. Si një ish-lojtar, Inzagi e di mirë se disa momente vështirësie mund të kapërcehen më lehtë me një mbrëmje me familjen dhe jo në grumbullime me skuadrën, arsye për të cilën Interi do të udhëtojë drejt Torinos vetëm sot.

DREJTUESIT – Të vetëdijshëm për situatën, zikaltrit janë stërvitur dje para syve të drejtuesve. Në Apiano Xhentile zbarkoi gjithë kryesia e Interit, që nga zëvendëspresidenti Havier Zaneti, administratori i deleguar Xhuzepe Marota, drejtori sportiv Piero Auzilio, e zëvendësi i tij Dario Baçin. Drejtuesit e dinë që ky është një moment delikat për skuadrën dhe kanë dashur që t’i gjenden pranë. Siç raporton “Sportmediaset”, pavarësisht se drejtuesit janë të pakënaqur me performancat e ekipit dhe kanë rezervat e tyre për trajnerin, ata janë përpjekur t’i inkurajojnë për vijimësinë e sezonit.

Të gjithë e dinë se nevojitet një kthesë e menjëhershme pas humbjes në shtëpi ndaj Fiorentinës dhe përballë Juventusit është mundësia më e mirë për ta bërë. Fitorja ndaj bardhezinjve do të ishte jo vetëm një hap i madh drejt kualifikimit, por do të ishte një injeksion force psikologjike dhe një stimul shumë i madh për vazhdimësinë. Në radhë janë transferta ndaj Salernitanës në kampionat, ku triumfi është i domosdoshëm për të mos dalë prej zonës “Champions”, ndërkohë që Benfika është rivali i Champions-it. Deri atëherë ama, Interi duhet të kalojë testin “Juventus” në një sfidë të një kompeticioni që edhe pse për drejtuesit nuk është konsideruar primar, mbart në vetvete lavdinë dhe rrugën drejt një trofeu.

Exit mobile version