Site icon

Inzagit i bëjnë “gjyqin” pas disfatës së radhës, ja katër akuzat e klubit

Një ditë pas humbjes ndaj Specias, të shtunën, Simone Inzagi pati një tjetër konfrontim me drejtuesit zikaltër në Apiano Xhentile, aty ku sigurisht humori nuk ishte aspak i mirë. 46-vjeçari ama nuk zgjodhi që t’ua transmetonte menjëherë lojtarëve mesazhin e kryesisë duke zgjedhur të përballet me ta vetëm ditën e djeshme pas stërvitjes së zakonshme.Duke iu rikthyer takimit, trajneri e di mirë se ai konsiderohet përgjegjës për të gjitha luhatjet e Interit, për të cilat i është tërhequr veshi edhe më parë, por siç zbulon “La Gazzetta dello Sport”, këtë herë analiza ka shkuar përtej ultimatumeve për kualifikimin në Champions League dhe përmbushjen e aq pak objektivave që kanë ngelur në lojë. Nga motivimet, te hierarkia e ekzekutuesve të penalltive, ka pasur katër pika në të cilat është ndalur “gjyqi” i teknikut, që më shumë se asnjëherë ndien stolin t’i lëkundet.

MOTIVIMI – Pika e parë dhe ndoshta edhe më e rëndësishmja, përfshin motivimin e skuadrës. Dy pikët e fituara ndaj pesë skuadrave të vogla vlejnë më shumë se diferenca që kanë sot zikaltrit me Napolin. Interi nuk arrin të fitojë kur duhet, sepse zbret në fushë me më pak ligësi, me më pak përqendrim dhe intensitet. Në fund të ditës intensiteti është produkt i punës që bëhet gjatë javës dhe me sa duket, nuk është i mjaftueshëm.

GABIME TË PËRSËRITURA — Performancat në transfertë janë katastrofike dhe i konfirmojnë 24 golat e pësuar larg shtëpisë, ku shumë prej tyre janë fotokopje e njëri-tjetrit, me një ekip me një qëndrim taktik shpesh të çekuilibruar. Pati një moment, në pjesën e parë ndaj Specias, ku Açerbi u gjend në mënyrë të rrezikshme një kundër një me një prej kundërshtarëve dhe më pas qortoi Darmianin që kishte humbur pozicionin. U duk vetëm një paralajmërim për atë që do të vinte, pasi e njëjta situatë do të ndodhte në rastin e golit të Maldinit. Pse nuk shfaqen këto vështirësi në “San Siro”? Sepse aty kundërshtarët stepen dhe janë më pak të prirur për të sulmuar.

PAK VARIABLA – Vitin e kaluar Interi e pagoi shtrenjtë rënien mes shkurtit dhe marsit, që u kushtoi edhe titullin. Shpresa e klubit zikaltër është që pikët e humbura javët e fundit të mos i kushtojnë kualifikimin në Champions. Menaxhimi i forcave ka çuar në shtrydhjen e disa protagonistëve, por problemi është se Interi duket gjithmonë i njëjti. Përballë Specias u duk se diçka ndryshoi, me skuadrën që pas 3-5-2 kaloi një herë në 3-4- 1-2 dhe më pas në 4-3-1-2, por këto zgjedhje dukeshin më shumë të diktuara nga momenti se të mirëmenduara.

PENALLTITË – Një hierarki e mirëpërcaktuar për të ekzekutuar penalltitë, për të shmangur konfuzionin dhe gabimet, ka qenë kërkesa dhe çështja e fundit e diskutuar mes palëve. Dukshëm Lukaku do të jetë i pari dhe ndaj Specias u konfirmua pse, me Lautaron e Çalhanoglunë pas tij, por trajnerit i është kërkuar ta përcaktojë dhe të mos ketë devijime nga lista që ai vetë do të saktësojë, duke ditur efektin që mund të kenë në rezultat ato penallti.

Exit mobile version