Barazimi i Interit ndaj Barcelonës në “Kamp Nou” për shumëkënd është arritje e madhe, por për Simone Inzagin, nuk është e tillë pasi i ka mbetur peng rasti i humbur në fund nga Kristjan Asllani.
Mesfushori shqiptar doli para portës por nuk mposhti dot Ter Shtegen, duke mos shënuar një gol që do të vuloste kualifikimin. Kjo është ajo ku është fokusuar trajneri i zikaltërve në konferencën për shtyp pas sfidës më shumë se te fakti që një fitore e kalon ekipin e tij në turin tjetër.
“Ka keqardhje, për atë që kemi krijuar dhe për rastin e fundit, me një fitore do të kishim mbyllur diskutimin e kualifikimit dy ndeshje më para. Por mendoj se kemi bërë dy ndeshje me përkushtim të madh ndaj Barcelonës e cila sipas mendimit tim është një skuadër shumë e fortë.
Kemi bërë një ndeshje të madhe, dëshironim të hynim në historinë e Interit. Mund të flitej për arritje të madhe me një fitore apo me kualifikimin e arritur, tani na mungon hapi i fundit me tifozët tanë, por para ndeshjes ndaj Plzen kemi dy sfida në kampionat që duhen përballuar sa më mirë”, theksoi Inzagi pas sfidës.