Zlatan Ibrahimoviç nuk rikthehet vetëm në fushë për Milanin, duke shënuar edhe golin historik të klubit kuqezi ndaj Udinezes, si futbollisti më i moshuar që gjen rrjetën, por në të njëjtën kohë ai pranon edhe sfidën e radhës në kombëtare dhe t’i japë një dorë edhe kombit të tij, në eliminatoret për Europianin “Gjermani 2024”.Në një intervistë për “Sportbaldet”, përpara dy sfidave me Belgjikën dhe Azerbajxhanin, Ibra e nis nga stimujt që e shtyjnë ende të vazhdojnë, e deri te përballimi i dhimbjeve të dëmtimit prej moshës, por edhe urinë që ende ka, për objektivat e ardhshëm. “Kur të gjithë më thoshin mjaft, kaq më duhet që të kem një shkarkim adrenaline dhe në atë pikë unë dua vetëm që të vazhdoj përpara. Pasi fitova me Milanin mund të kisha hequr dorë, mund të isha tërhequr me nder dhe lavdi, por do të kishte qenë shumë e lehtë. Nuk ishte fundi i karrierës që unë doja. Unë dua të shkoj ende përpara, pasi vetëm frikacakët tërhiqen, sapo u ndodh diçka e bukur. Unë dua ende të sfidoj veten. Nuk heq dorë kurrë, pasi janë pikërisht sfidat ato që më japin adrenalinë. Edhe ju gazetarët, që kur isha ende shumë i ri, keni shkruar për mua se isha shumë i ndryshëm, rrëmujaxhi dhe egocentrik. Shkurt keni shkruar gjithçka keni dashur, por në këtë mënyrë më keni ndihmuar dhe po vazhdoni ta bëni ende. Brenda meje kam një dëshirë të çmendur që t’i tregoj të kundërtën kujtdo që dyshon tek unë”, bën hyrjen e tij, si gjithmonë bombastike, Ibra.
Zlatan, së fundmi ju kemi parë që të luani edhe përkrah djalit tuaj, Maksimilian, në radhët e Milanit. Çfarë ndjesie është?
Miqësorja në “Milanelo” ishte një moment special, por edhe shumë dëfryes. Sa arrijnë që të luajnë me djalin e tyre në nivelet e larta? Maksimiliani luan futboll dhe është i lumtur. Pati edhe mundësinë që të luajë me mua dhe me pjesën tjetër të skuadrës së parë. Madje, përpara miqësores më kërcënoi se donte të më bënte keq në fushë, kështu që unë i thashë Piolit që të më vinte në skuadër me djalin tim (qesh)…
Te Milani po kaloni një moment delikat. Por si lindi ideja për t’u rikthyer për të disatën herë në kombëtare, pasi thoni se e keni mbyllur me atë?
Më kontaktoi trajneri Jane Anderson, madje e ka bërë këtë prej një kohe shumë të gjatë, edhe në periudhën që isha i dëmtuar, por ndërkohë kisha nisur fazën e rehabilitimit. Jane më telefonoi disa herë që më kërkoi se cila ishte situata dhe unë iu përgjigja se i kisha ende të dyja këmbët në vend. Iu përgjigja të gjitha pyetjeve të tij. Prandaj, nëse do të ndihem mirë do të luaj… Nëse ndihem mirë do të jem në dispozicion…
Sa i vështirë ishte rikthimi pas dëmtimit?
Problemi më i madh ishte fidbeku, i cili nuk ishte aspak pozitiv. Nuk po shihja atë dritë që të më jepte energji, që të më jepte përgjigjet e atyre që po bëja mirë. Por më pas më ndodhi diçka që më largoi nga ajo dhomë e errët dhe gjithçka papritur nisi të shndrijë. Ishte e vështirë, shumë, por pata shumë fuqi dhe durim.
Si arrini t’ia dilni edhe në moshën tuaj?
E vërteta është që pësova 3 operacione, jo një. Por pata durim, dëgjova mjekët, ua lashë atyre të ardhmen time, i ndoqa në gjithçka më kërkonin dhe i falënderoj që në fund dolëm të dyja palët shumë të kënaqura.
Çfarë u thatë shokëve te Milani, pasi pësuat dëmtimin dhe tashmë që u rikthyet në fushë, në moshën 41- vjeçare?
Sa shumë pyetje e konstatime mbi moshën time… Por më mirë kështu, sepse kanë kaluar pak orë nga të bërit futbollisti më i moshuar që ka shënuar një gol në historinë e Milanit, por edhe të Serisë A. Dhe unë jam nga ata tipa që rekordet i pranoj vetëm për atë që bëj në fushë, jo për ndonjë që më ngec në derë. Dhe nëse doni ta dini, dje (të hënën), ua thashë qartë shokëve mi te Milani, ashtu sikurse ua thashë edhe sot (dje) atyre në kombëtare: “Ndoshta mendoni se jam një i marrë që vij ende këtu me ju, në këtë moshë?! Por koha kalon shumë shpejt dhe gjithçka unë them do ta kuptoni më qartë kur t’u afroheni të 40-ave. Juve do t’ju kapë paniku, mua jo.
Prisni një tjetër vit te Milani, apo do të nisni një karrierë si drejtues ndoshta? Keni më oferta?
Se çfarë do të ndodhë te Milani, unë di të them vetëm që ndihem ende një futbollist me kohë të plotë. Nëse nuk më do më Milani, unë kam ende shumë oferta, por për to nuk dua ende të mendoj. Të gjithë më pyesin se si ndihem, se si jam, ndërkohë që ata që duhet të pyesin veten për këtë gjë janë shokët e mi 20-vjeçarë.