Barcelona dhe Reali i Madridit do të luajnë sonte në mbrëmje “Klasiken” e pestë të sezonit. Të dy skuadrat do të takohen në atë që do të jetë ndeshja e dytë gjysmëfinale në “Copa del Rey”. Ndeshja e vajtjes në Madrid rreth një muaj më pare u zgjidh në favor të katalanasve me rezultat 0-1. Megjithatë, gjatë ndeshjes nuk kishte një dominues të qartë.Një analizë e bërë nga “shkolla e trajnerëve MBP” nxjerr në pah tri lëvizjet kyçe që mund të rezultojnë vendimtare dhe që mund të vendosin fatin e skuadrës që do të shkojë në finale.
MODULI – Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku të dyja skuadrat kishin një strukturë fikse dhe të palëvizshme, këtë sezon skuadrat janë treguar më fleksibël në lidhje me pozicionin në fushë.
Barcelona dhe Madridi e kanë filluar shumicën e ndeshjeve të tyre me një sistem 4-3-3. Megjithatë, të dy kanë “luajtur” me sistemin dinamik në varësi të zhvillimit të ndeshjes.
Një pasqyrim i qartë i kësaj ndryshueshmërie në modulin e lojës ishte qasja mbrojtëse e propozuar nga Ksavi Hernandez në ndeshjen e parë në “Bernabeu”. Të kushtëzuar nga mungesat në formacion, katalanasit ndryshuan sistemin duke kaluar në një 4-4-2.
Përmes këtij ndryshimi taktik, Barça u mbyll në mbrojtje, duke mos pësuar. Madrilenët goditën 13 herë, megjithatë asnjë gjuajtje nuk ishte mes tri shtyllave falë punës së mirë në mbrojtje të bërë nga katalanasit.
Ajo që bënë katalanasit ishte një “masterclass” në ekzekutimin e mbrojtjes zonale. Falë kësaj, mbrojtja e Barçës e neutralizoi sulmin e Realit të Madridit, duke çaktivizuar çdo mundësi që Reali të ishte në epërsi numerike.
Nga ana tjetër, njerëzit e Ançelotit kanë përdorur gjithashtu module të ndryshme gjatë sezonit. Një nga më të përdorurat ka qenë 4-4-2 ku Fede Valverde është përdorur si lojtar krahu.
Megjithatë, në ndeshjen e fundit në La Liga kundër Vajadolidit, madrilenët luajtën me sistemin 4-2-3-1 me Rodrigon si mesfushor pas sulmuesit.
Pavarësisht diferencës në nivel mes dy skuadrave, testi taktik i kryer nga trajneri italian ka funksionuar shumë mirë. Ndaj nuk do të ishte çudi që “Karleto” të përdorte këtë modul në ndeshjen kundër Barcelonës.
KONTROLLI I TRANZICIONEVE – Një tjetër element kyç për fatin e takimit do të ishte kontrolli i tranzicioneve mbrojtje-sulm të kundërshtarit. Siç u reflektua në ndeshjen e parë, goli i Barçës erdhi nga një tranzicion i shpejtë.
Pavarësisht se të dy trajnerët kanë kërkuar të minimizojnë numrin e gabimeve në mbrojtje duke shtuar një mesfushor “box to box” në formacionin e tyre startues, të dyja skuadrat kanë treguar dobësi në tranzicion.
Një faktor i zakonshëm i origjinës së gabimeve është mungesa e lojtarëve në zonën e ndërprerjes së aksioneve gjatë fazës sulmuese. Fakti i promovimit të cilësisë individuale ndaj kolektivit dhe mospasja e një vëllimi të madh lojtarësh në zonat afër topit, po bën që dy skuadrat të zgjaten në momentin e humbjes së topit.
Për këtë arsye, ata nuk mund të ushtrojnë presion optimal pas humbjes së kontrollit të topit, duke u ekspozuar ndaj kundërshtarit.
Pra, pasi topi humbet, skuadra që zotëron topin ka hapësira të favorshme për të lëvizur me sukses drejt portës rivale. Prandaj, skuadra që është më kompakte gjatë fazave organizative ka më shumë shanse të dalë e fituar.
RINGJALLJA E SULMUESVE – Së fundmi, një tjetër aspekt që mund të përcaktojë se kush do të jetë finalisti i ardhshëm i kompeticionit, do të jetë të shihet se cili sulmues do të arrijë të jetë më efikas përballë portës rivale.
Ndryshe nga ndeshja e mëparshme mes dy skuadrave, ku dy numrat 9 nuk ishin në formën e tyre më të mirë, performanca aktuale e tyre është përmirësuar. Të dy, Levandovski dhe Benzema duket se kanë gjetur nivelin e tyre optimal të formës fizike.
Falë kësaj, dy futbollistët po ndikojnë më shumë në skuadrat e tyre. Jo vetëm në nivelin statistikor të golave dhe asisteve, por edhe në lidhje me aspektet e lojës.
Polaku ishte vendimtar në metrat e fundit, duke parë lehtësisht sërish portën rivale. Nga ana tjetër, francezi ka arritur të forcojë sulmin e bardhë.
Megjithatë, puna e dy skuadrave në fazën sulmuese nuk do të varet ekskluzivisht nga Leva dhe Benzema. Lojtarë si Rafinja, Gavi, Vinicius ose Rodrigo duhet të kenë një rol vendimtar.
PËRFUNDIMI – “Klasikja” e fundit mes Barcelonës dhe Madridit do të ketë një vlerë të veçantë edhe mbi atë çfarë mbetet nga sezoni. Kushdo që fiton do të jetë vetëm një ndeshje larg ngritjes së titullit të parë madhor të sezonit. Për më tepër, ndikimi psikologjik do të ishte kryesor.
Një triumf i Barçës do t’i linte Realit vetëm opsionin për të fituar Ligën e Kampioneve në këtë sezon. Nga ana tjetër, një fitore për skuadrën e Ançelotit mund të ndikojë në performancën e Barcelonës në La Liga dhe të vërë në pikëpyetje një ecuri që ka treguar përmirësim të dukshëm pas Kupës së Botës “Katar 2022”.

