Nuk është një emër i ri për mesfushën e Juventusit, ndonëse përpara bardhezinjve ai zgjodhi transferimin tek Arsenali në verën e vitit 2020. Dhe pas tri sezonesh kjo rezultoi një zgjedhje e gabuar, pasi Tomas Partej nuk u rrit asnjëherë në formën që tregoi në radhët e Atletikos së Madridit, ndoshta sepse Premier Liga ishte ndoshta shumë fizike për cilësitë e tij.
50 milionë eurot e investuara nga “Topçinjtë” nuk janë shpërblyer kurrë në “Emirates” dhe klubi anglez e ka nxjerrë në merkato ganezin, për të rikuperuar diçka nga thesi me paratë e shpenzuara.
Në skenë rikthehet Juventusi, më konkretisht trajneri Masimiliano Alegri, i cili edhe tri vite më parë ishte ai që e kërkonte ta kishte nën urdhra. “Konti Maks” mesa duket beson ende të 30-vjeçari, i cili shihet si një pasardhës i mundshëm i Adrien Rabiosë, që përgatitet të përshëndesë me parametër zero torinezët.
Madje, ideja është që Juventusi të mos shpenzojë më as shifra të çmendura për Tomas Partejn, duke qenë se Arsenali nuk ka pretendime të mëdha ekonomike, por është gati që ta lërë të lirë për diçka mes 15-18 milionë eurove.
Kjo është e shtyrë edhe nga shifrat e varfra që ka ofruar Partej në sezonin e kaluar, 32 ndeshje dhe vetëm 3 gola të shënuar, në një skuadër për më shumë që deri 5-6 javë nga fundi pretendonte fitimin e kampionatit anglez.
Nga dita e djeshme Arsenali i ka hapur rrugë Juventusit që të mund të bisedojë mundësinë e një transferimi të Tomas Partejt, edhe pse kushti i parë i “topçinjve” është ai i një shitjeje definitive, jo i një huazimi me të drejtë blerje, pasi merkatoja e tyre këtë verë pritet të jetë shumë e kushtueshme dhe anglezët duan që të grumbullojnë sa më tepër miliona që të munden, për të financuar fushatën e blerjeve të kësaj vere.