Site icon

Juventusi përmbys Salernitanën, Vlahoviç tregon muskujt: Ne s’do heqim dorë kurrë!

Këtë herë po që ishte e frikshme. Juventusi përmbys Salernitanën dy herë brenda 72 orësh, por nëse në “Allianz Stadium”, për Kupën e Italisë, pas disavantazhit “zonja e vjetër” shënoi edhe 6 gola të tjera, dje në “Arechi” goli i fitores erdhi vetëm në minutën e 91-të. Ai që shpëton sërish bardhezinjtë është Dushan Vlahoviç, me një tjetër gol me kokë, këtë herë me dhunë, njësoj si në Frozinone, duke garantuar tri pikë të tjera edhe më të rëndësishme.

Dushan, ashtu si në Frozinone, një tjetër gol tri pikësh, sërish me kokë. Por sa peshon ky gol ndaj Salernitanës, i ardhur në fund?

Sipas mendimit tim peshon shumë, po realisht shumë. Dhamë gjithçka në fushë dhe mendoj se në fund e merituam fitoren, ndonëse dua të përgëzoj realisht Salernitanën, e cila bëri një ndeshje të madhe. Ata shkuan në vështirësi vetëm pas kartonit të kuq, prandaj i uroj vërtet fat për vazhdimin e sezonit, sepse janë një skuadër e madhe.

A është dëshira për të besuar deri në sekondën e fundit cilësia juaj më e madhe këtë vit?

Jeni gati që të mos dorëzoheni kurrë? Jo, nuk do të dorëzohemi në asnjë sekondë dhe do të japim gjithçka deri në sekondën e fundit të këtij sezoni. Pastaj të shohim ndeshje pas ndeshjeje nëse do ta meritojmë atë që të gjithë kërkojmë. Por të jeni të sigurt se nuk do të lëshojmë kurrë!

Ishte kjo fitore një sinjal se edhe Juvja është për titull?

Kemi ende 19 ndeshje për të luajtur dhe rruga është ende shumë e gjatë. Siç kemi thënë objektivi i parë është që të rikthehemi në Champions dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë.

E ndieni se po shndërroheni në njeriun e golave me peshë?

Ai që kërkon populli bardhezi… Unë kam punuar gjithmonë shumë dhe kam dhënë gjithçka kam, pasi kam qenë i sigurt se puna do të më shpërblejë. Në këtë moment jam i lumtur për këto gola, por nuk do të kisha bërë asnjë prej tyre pa ndihmën e skuadrës. Sepse janë ata që më ndihmojnë shumë, çdo ditë. Ndiej besimin e shokëve dhe aq më shumë të trajnerit, të klubit, të tifozëve dhe dua t’i falënderoj të gjithë. Sepse pikërisht kjo më shtyn që të shënoj sërish shumë dhe të punoj çdo ditë më fort.

Çfarë do të jetë për Vlahoviçin viti 2024?

Ai në të cilin do të jeni kampion? Ai në të cilin do të nisni të ngrini trofe? Unë nuk e di dhe nuk më pëlqen të fantazoj shumë larg për të ardhmen. Jetoj të tashmen dhe mendoj vetëm për gjërat që mund të ndryshoj. Por pa dyshim që ëndrra kam dhe për ato punoj çdo ditë, sepse dua t’i realizoj të gjitha, ndonëse rruga është ende shumë e gjatë. E rëndësishme është që të besojmë në forcat tona dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë, pas çdo fitoreje.

Çfarë ndjesie është të shënoni dhe të shkoni të festoni poshtë tribunës, së bashku me tifozët?

Nuk mund ta përshkruaj… Falënderoj tifozët që kanë ardhur të na mbështesin kaq larg dhe e vetmja mënyrë që kemi për t’i falënderuar është që të fitojmë. Tani, kur të shkoj në dhomat e zhveshjes, do t’i bëj komplimentet e mia shokëve dhe trajnerit Alegri, pasi po tregojmë se jemi një skuadër e ndërtuar për të bërë gjëra të mëdha dhe hap pas hapi mund t’ia dalim. Komplimente të gjithëve, sepse pa mbështetjen e njëritjetrit unë nuk do të mundja të bëja asgjë.

Exit mobile version