Nuk ka fund kaosi te PSG ku situata e jashtëzakonshme ndjekin njëra-tjetrën. Sikur të mos mjaftonte zënka me Kilian Mbape një javë më parë, në 24 orët e fundit ka shpërthyer edhe një telash më i madh, pasi trajneri Kristof Galtie akuzohet për qëndrime raciste.
Një e-mail i bërë publik që i përket periudhës kur ai ishte pjesë e Nicës, aludonte se Galtie ishte ankuar në klub për sasinë e madhe të “ze*akëve dhe myslimanëve” në skuadër. Një qëndrim racist që ka sjellë revoltë në rrjetet sociale mes tifozëve të skuadrës e jo vetëm. Ultrasit e PSG kanë dalë me një komunikatë zyrtare duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të Galtie nga pankina e skuadrës, duke e cilësuar të papërshtatshëm për klubin.
Nga ana tjetër, presidenti Naser Al Khelaifi, i cili pagoi 10 milionë euro për të siguruar prishjen e kontratës së Galtie nga Nica që të merrte drejtimin e parisienëve, është dukshëm i inatosur me trajnerin dhe ka hapur një hetim të brendshëm. “RMC” bën të ditur se nëse vërtetohet se këto deklarata janë bërë nga trajneri, atëherë shkarkimi i tij do të jetë i mënjëhershëm, ndonëse PSG-ja nuk ka mbyllur sezonin.