Fillon kampionati italian dhe kthehen menjëherë komentet e Antonio Kasanos mbi skuadrat pjesëmarrëse të elitës së futbollit në Itali. Si zakonisht, ish-sulmuesi italian, nuk kursehet me komentet e tij në “Bobo TV”, duke sulmuar ata që sipas tij kanë bërë gjërat gabim. Dhe i pari në listën e atyre që është sulmuar nga Kasano, këtë vit është Mauricio Sarri.
“Zhgënjimi më i madh i këtij viti do të jetë Lacio. Vitin e kaluar thashë se Lacio do të jetë surpriza, sot them se do të jetë zhgënjimi më i madh. Sarri është i aftë, por sa herë që e dëgjoj të flasë… ankohet gjithmonë, një komunikim m***. Këtë vit ka një çështje të nxehtë. Ai bëri të largohet Tare. Ishte Paredes i lirë dhe duhej rrëmbyer, por në vend të tij erdhi Rovela, një lojtar nga 0 në 0. Në Leçe ka bërë një nga ndeshjet më të dobëta të një skuadre të Sarrit. Ajo u sulmua dhe ishte pa ide. Goli i Luis Albertos dhe Imobiles ishte i bukur, por ata vuajtën në mënyrë të pabesueshme. Lacio mund të shkonte në 2-0, por gjuajti një herë e gjysmë në portë’, ishte kritika e Kasanos.
Më pas, radhën e kishte Milani, më saktësisht presidenti Xherri Kardinale që ka bërë “spastrime” në klub.
“Dua t’i them diçka z. Kardinale, që ka bërë një m*** duke u sjellë ashtu me Maldinin dhe Masaran. Duhet të kuptojë që nuk po stërvit Sanmartinezen. Duhet të tregojë respekt, pasi qartësisht tani nis kampionati, por ne nuk harrojmë. Duhet të ketë respekt për historinë, pasi Milani historinë e bëri me Maldinin dhe puna si drejtues nisi nga ai. Kardinale ka ardhur nga SHBA dhe nuk ka zbuluar ujin e ngrohtë, duhet të ketë respekt, edhe nëse fiton Ligën e Kampioneve. Ka treguar mungesë respekti ndaj një personi që ka shkruar historinë e Milanit edhe si drejtues. Dhe meqë nuk ia dhuroi askush, ai ishte jo i aftë, por fenomenal. Ai dhe Masara kanë bërë një punë të shkëlqyer. Kardinale, lëri algoritmet dhe idiotësitë dhe tregoj respekt për njerëzit që kanë bërë historinë e Milanit”, tha Kasano.