Site icon

“Kemi karakter dhe zemër”, Onana: Ishte sfida më e rëndësishme e sezonit, jemi ekip i madh

Andre Onana ka qenë i padiskutueshëm mes shtyllave të Interit në Champions League dhe u tregua hero edhe mbrëmjen e djeshme.Kamerunasi pranoi që në Milanon zikaltër e kanë konsideruar sfidën me Porton si ndeshjen më të rëndësishme të sezonit të deritanishëm të Interit, arsye kjo për të cilën ka treguar se e kanë përgatitur në maksimumin e tyre.

“Ishte ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe kemi punuar shumë të gjithë për të qenë sot në këtë pikë. E kishim përgatitur mirë sfidën dhe kemi pasur shumë besim. Ruajtëm përqendrimin, pasi e dinim mirë rëndësinë e këtyre minutave. “Dragao” nuk është më i nxehtë se “San Siro”, por në skuadër kemi lojtarë që kanë karakter dhe janë mësuar me të tilla atmosfera, ashtu si unë. Nuk kishim frikë dhe e dinim që nëse do të bënim lojën tonë do të kualifikoheshim, edhe pse me një kundërshtar të vështirë përballë. Cilësinë e Portos e njohim të gjithë dhe e pamë që nuk na e bëri paksa të lehtë”, tha portieri që më pas u ndal edhe të rëndësia e kualifikimit pas 12 vitesh.

“Nuk kishim asnjë justifikim, pasi e dimë mirë atë që do të thonë çerekfinalet e Champions League për klubin dhe tifozët. Ishte sigurisht një shtysë më shumë mundësia për të qenë ne ata që do të shkruanim emrin në histori sërish. Jemi një klub i madh dhe këtë duhet ta tregojmë sa herë që zbresim në fushë. Kemi karakter e zemër, po fitojmë eksperiencë në këtë kompeticion dhe mentaliteti mund të na ndihmojë të arrijmë larg. Duhej një paraqitje prej Interi dhe kështu ndodhi, tani duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë”, u shpreh numri 24 i zikaltërve.

Exit mobile version