Barcelona fiton “El Clasico” dhe vendos një dorë te titulli kampion në La Liga. Katalanasit kanë fituar me përmbysje përballë Real Madrid në mënyrë dramatike, pasi iu desh një gol i Frank Kesi në minutat shtesë të ndeshjes për të siguruar tre pikët.Në një sfidë spektakolare, me raste nga të dyja skuadrat, ishte ekipi katalanas që e nisi me vrull sfidën por e pa veten shpejt në disavantazh pas autogolit të Arauho. Me kalimin e minutave, vendasit fituan terren dhe rrezikuan disa herë portën e Kurtua, derisa erdhi momenti i golit të Serxhi Roberto, në fundin e pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë të lojës, skuadra e Çavit diktoi ritmin dhe vetëm aktivizimi i Rodrigo i dha pak frymëmarrje madrilenëve. Benzema shpërdori disa mundësi të mira shënimi, ashtu si Levandovski nga ana tjetër, ndërsa Asensio pa t’i anulohej për pozicion jashtë loje goli në minutat e fundit të ndeshjes.
Kur dukej se dueli po shkonte drejt barazimit, Kesi i aktivizuar në fund të ndeshjes, gjeti devijimin vendimtar para portës së Kurtua në minutën e 92-të, duke shënuar golin e 2-1 që çon në 12 pikë distancën e Barcelonës nga Reali dhe bën thuajse të sigurt titullin kampion.
BARCELONA – REAL MADRID 2-1
45′ Serxhi Roberto, 90’+2′ Kesi / Arauho 9′ (autogol)

