Bernard Cera, 21-vjeçari që u kap nga policia në Britaninë e Madhe pasi u gjet duke u kujdesur për 230 bimë kanabis në një shtëpi në Cardiff, është dënuar me 14 muaj burg.
Cera pretendoi se po punonte për të shlyer një borxh prej 10,000 £ pasi familja e tij kërcënohej.
21-vjeçari u përpoq të arratisej nga një pronë në Harriet Street, Cathays, më 19 dhjetor të vitit të kaluar kur policia bastisi shtëpinë. I pandehuri u pa duke u përpjekur të ngjitej përmes një dritareje, por më vonë u gjet i fshehur nën thasë plehrash.
Në seancën dëgjimore në Gjykatën e Cardiff Croën të martën u tha se u gjetën gjithsej 230 bimë kanabisi të madhësive të ndryshme në katër nga 10 dhomat në pronë. Gjithashtu u gjetën llamba dhe fidanë në papafingo.
Prokurori Jason Howells tha se i pandehuri u arrestua dhe i tha policisë se kishte qenë në MB për tre muaj pasi ishte trafikuar në vend. Atij i thanë se duhej të punonte si kopshtar për të shlyer një borxh prej 10,000 £ dhe i ishin bërë kërcënime familjes së tij në Shqipëri.
Cera, nga HMP Cardiff, më vonë u deklarua fajtor për prodhimin e kanabisit por për shkak se nuk kisha precedentë të mëparshëm, ai i kërkoi gjykatës të jepte dënimin më të shkurtër të mundshëm.
Gjatë dënimit, gjykatësi Niclas Parry tha: “Ky lloj fenomeni po bëhet gjithnjë e më shumë një problem në Uellsin jugor. Emigrantët e paligjshëm ndjekin rrugën e tij, por ata duhet të mendohen dy herë. Ky ishte një operacion i sofistikuar, i aftë për të prodhuar sasi të konsiderueshme droge për përdorim komercial.”
Cera u dënua me gjithsej 14 muaj burg. Ai do të vuajë gjysmën e dënimit në paraburgim përpara se të merret një vendim nga Ministria e Brendshme për të drejtën e tij për të qëndruar në MB.

