Liverpuli përballet me Napolin këtë të martë në një sfidë vendimtare në Ligën e Kampioneve, ku duhet një superndeshje ndaj italianëve për t’u rrëmbyer vendin e parë në grup. Vetëm një fitore 4-0 i bën punë Liverpulit, ndaj edhe trajneri Jurgen Klop ka pranuar sot se do të jetë e vështirë ndaj italianëve të cilët po bëjnë një futboll shumë të mirë në Serinë A dhe Europë.
“Napoli është skuadra më në formë në Europë dhe nuk mund të bëjmë shumë rotacion, duam të fitojmë ndeshjen pa menduar që na nevojiten 4 gola diferencë për të kaluar në vendin e parë.
Hakmarrje? Jo, jemi të motivuar pas ndeshjes së Napolit, në fazën në grupe e rëndësishme është të kalosh në turin tjetër dhe këtë e kemi bërë. Napoli luan një futboll të bukur, më të mirin në Europë në këtë moment. Janë të gjithë të sinkronizuar në të gjitha fazat e lojës, por ne thjesht nuk duhet të mendojmë për ndeshjen e parë që bëmë ndaj tyre.
A mund t’i shkojnë deri në fund turneut? Absolutisht po, nëse luajnë siç po bëjnë tani, kanë mundësinë që të arrijnë në finale. Nuk mendoj se kanë kopjuar stilin tonë të lojës, Spaleti ka shumë eksperiencë dhe ka krijuar një grup i cili punon në një nivel të lartë, të shkëlqyer. Në mbrojtje luajnë një futboll të ndryshëm, por kanë energji dhe intensitet. Është një skuadër që na pëlqen ta shohim”, theksoi Klop në fjalët e tij para sfidës.
PANORAMASPORT.AL