Ish-klubi im i Mançester Sitit nuk ka nevojë për një tjetër “Mrekulli Stambolli” për të sjellë në shtëpi Ligën e Kampioneve, ashtu siç ne te Liverpuli bëmë në vitin 2005. Siti e meriton që ta ngrejë trofeun, sepse ata janë qartazi skuadra më e mirë në Europë këtë sezon. Në duelet me dy ndeshje ata kanë qenë praktikisht të pathyeshëm. Ndërsa nuk do të ishte e pamundur për Interin që të fitonte një ndeshje teke, unë do të isha i surprizuar. Duke pasur Erling Halandin, lojtarëve të Sitit u jep besim të madh, sepse ai mund të shënojë nga asgjëja, ndërsa në mbrojtje Ruben Diaz ka qënë po aq i rëndësishëm sa Virxhil van Dajku është te Liverpuli.
Siti është transformuar nga një skuadër që fuste ujë në ndeshjet e mëdha, në ekipin me mbrojtjen më të mirë të Premier Ligës. Është një rastësi e çmendur që nga finalja e parë e Stambollit 18 vite më parë, kemi sërish një skuadër angleze kundër një ekipi nga Milano. Unë do të jem në komentin e ndeshjes nga studioja televizive në Gjermani dhe jam i sigurt se do të më kalojnë të dridhura, duke parë ngjarjet në stadiumin “Ataturk”, sepse atje është ndeshja më e famshme që unë kam luajtur për një klub në karrierën time.
Të shkoje në pushim në disavantazh të tre golave ndaj Milanit dhe të ndihmoje Liverpulin që të fitonte kupën me penallti është diçka për të cilën unë jam jashtëzakonisht krenar. Liverpuli ishte skuadra jofavorite atë mbrëmje, ashtu siç është Interi tani. Milani ishte skuadra më e mirë në botë në atë kohë, me yje si Maldini, Nesta, Pirlo, Shevçenko dhe Krespo. Por ne kishim një shpirt fantastik skuadre, siç e ka Siti tani dhe pavarësisht se Interi ka lojtarë të mirë, nuk jam i sigurt nëse kanë ekuivalentin e Stiven Xherrardit. Njerëzit i dinë lidhjet e mia me Liverpulin, por unë kam luajtur edhe tri vite te Siti (2006- ‘09), një periudhë transformimi. Viti im i fundit rastisi me blerjen e klubit nga sipërmarrja nga Abu Dhabi.
Ajo që ka ndodhur prej atëherë është fantastike. Të shpenzosh para të ndihmon, por nuk të garanton sukses. Siti ishte mjaftueshëm i mençur, duke mbajtur shumë pjesëtarë të vjetër të stafit për të ruajtur identitetin. Interi do të jetë një rival i bezdisshëm dhe unë shpresoj që të jetë. Ne shkuam në Stamboll duke ditur se gjithçka duhet të shkonte perfekte për ne për të mundur Milanin e madh. Këtë herë është Interi që do t’i duhet një “mrekulli”, më shumë sesa Sitit.