Site icon

Korrupsioni në RTSH, dosja e SPAK: Thoma Gëllçi favorizoi kompaninë fituese dhe zgjati afatet e dorëzimit të pajisjeve për kanalin ‘Agro’, përtej kontratës! Nisi procedurat 1 vit para miratimit nga AMA

Report Tv ka zbardhur dosjen e hetimit të SPAK që çoi në pranga ish drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçin. Sipas dosjes thuhet se Gëllçi skualifikoi padrejtësisht një kompani nga gara për tenderin për blerjen e pajisjeve për kanalin “Agro” të RTSH, prej 100 milionë lekësh. Sipas dosjes se siguruar nga Report Tv këto pajisje qe kushtuan afro 1 milion dollarë dhe duhej qe te dorëzoheshin ne RTSH per 45 dite, por ky afat është shtyrë nga Gëllçi.

Nga dy kompani që ishin në garë, sipas SPAK Gëllçi ka skualifikuar padrejtësisht njërën prej tyre, ndërsa ka favorizuar një kompani tjetër që sipas raport të KLSH edhe kompania fituese nuk përmbushte kritere për t’u kualifikuar lidhur me tenderin prokurimit ‘’Blerje pajisje për kanalin Rtsh Agro’’. Duhet theksuar se firma e skualifikuar ka bere rekurs në Komisionin e Prokurimit Publik dhe ka humbur, duke mos e kualifikuar as KPP si të përshtatshme për të marrë pjesë në tender, duke i dhënë kështu të drejtë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që e ka skualifikuar.

Por sipas KLSH dhe SPAK, Gëllçi ka bërë tender pa marrë ende miratimin e AMA-s për të hapur kanalin Agro dhe ka bërë preventivin e projektit pa ditur nëse fondit prej 100 milionë lekësh do i miratohej nga Ministria e Financave. Një tjetër shkelje ishte edhe zgjatja e afatit të firmës fituese për dorëzimin e pajisjeve , për 45 ditëve që ishte në kontratë.

Gëllçi akuzohet se krijoi procedurat e tenderit për RTSH Agro para se te miratohej fondi 100 milion leke nga Ministria e Financave. Shkelje janë konstatuar edhe në mënyrën e regjistrimit të kanalit “Agro” në AMA. Ai ka shpallur procedurën e tenderit përpara se te merrte miratimin nga AMA dhe Bordi për kanalin AGRO.

Sipas SPAK, ish Drejtori i Përgjithshëm i RTSH Thoma Gellço ka zhvilluar një procedurë prokurimi, për pajisje për një kanal televiziv,(RTSH AGRO) përpara se të merrte miratimin nga AMA për hapjen e këtij kanali televiziv, gati një viti përpara marrjes së miratimit nga AMA dhe 2 vjet përpara fillimit të funksionimit të këtij kanali.

Pajisjet e prokuruara pas hyrjes në magazinë, një pjesë e tyre i kanë kaluar njësisë Qendrore në Drejtorinë e Përgjithshme të RTSH dhe një pjese tjetër ka kaluar në magazinat e qendrave vendore audiovizive Kukës, Gjirokastër, Shkodër, operatorëve sportivë,etj.

Po kështu i hetuari Thoma Gellço, pas nënshkrimit të kontratës me operatorin fitues, në datën 24.12.2018, ku si afat përfundimtar i zbatimit të kontratës është përcaktuar data 06.02.2019. në datën 15.02.2019 ka nënshkruar një “kontratë shtesë për blerje pajisje për kanalin RTSH Agro” duke e zgjatur afatin deri në dt 22.02.2019.

Gjithashtu në dosje thuhet se ish Drejtori i Përgjithshëm i RTSH -së, me dashje ka kryer veprime që vijnë në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, që i kanë sjellë personave të tjerë, operatorit fitues përfitime materiale, duke dëmtuar interesat e ligjshme të operatorëve të tjerë ekonomikë që mund të jene vetëskualifikuar për shkak të mospërmbushjes së afatit 45 ditor si dhe keqmenaxhuar fondet publike, duke konsumuar kështu elementët veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës”.

Ndërsa 3 punonjësit e RTSH, gjithashtu të arrestuar, Juljan Tapi, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kanë konsumuar elementët e veprës penale të ‘’Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve ne tendera’ kryer në bashkëpunim.

Hetimi është nisur fillimisht nga prokuroria e Tiranës dhe më pas i ka kaluar për kompetencë SPAK. Tenderi është zhvilluar në 2018, dhe procedura është shpallur 3 vite përpara se TVSH Agro të fillonte trasmetimin. Në 2021 TVSH Agro ka dalë në prova teknike. Përmes tenderit janë blerë pajisjet dhe janë përdorur ndërkohë.

Exit mobile version