Kastrioti në tri javët e fundit ka pësuar tri humbje, diçka që nuk kishte ndodhur që prej janarit. Janë shumë faktorë që kanë sjellë këto rezultate dhe më kryesori është arritja e objektivave sezonalë.
Vetvetiu, duke mos qenë të licencuar për Europë, ka ndodhur dhe njëfarë lëshimi nga skuadra.
Një tjetër faktor ka të bëjë edhe me ndryshimet në formacion, pasi që pas sigurimit të Kategorisë Superiore, stafi teknik u ka dhënë hapësira edhe disa lojtarëve të rinj, të cilët pritet që të jenë pjesë e rëndësishme e skuadrës në sezonin e ardhshëm.
Skuadra është lënë dy ditë pushim, ndërsa nga dje ka nisur edhe përgatitjet për ndeshjen e radhës me Partizanin, që luhet të shtunën në Elbasan.
Për takimin me të kuqtë, krutanëve u rikthehen dy titullarë si Bedri Greca dhe Silvio Zogaj, të cilët munguan ndaj Teutës për shkak kartonësh dhe dëmtimi.
Mungesa e vetme për ndeshjen me të kuqtë do të jetë ajo e mesfushorit Abaz Karakaçi, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Kastrioti tashmë i ka arritur objektivat sezonalë dhe ajo që po projektohet nga drejtuesit ka të bëjë me rinovimet, të cilat me shumë gjasë do të nisin shumë shpejt, sigurisht duke filluar nga numri një i pankinës, Emiljano Çela.