Site icon

Lajpcig i shkaktoi Realit humbjen e parë sezonale, Ançeloti: Herët a vonë do të ndodhte

Pathyeshmëria e Realit në këtë sezon ka marrë fund në Lajpcig, ku është mundur nga gjermanët me shifrat 2-3. Në këtë mënyrë nuk kanë vonuar shumë të vërtetohen fjalët e Ançelotit se skuadra e tij nuk është e pathyeshme.

Ançeloti ka folur pas takimit, duke e pranuar humbjen përballë një Lajpcigu që e ka kërkuar me më shumë ngulm fitoren.

“Kemi pësuar dy gola me topin e ndaluar. Më pas ndeshja u kanalizua në dinamikën që kërkonin rivalët. Si rrallë në këtë sezon kemi vuajtur në kundërsulmet e tyre. Unë mendoj se vendimtarë për fatet e takimit ishin dy golat e parë”, ka thënë italiani.

Trajneri i Realit ka komentuar më tej atë çfarë ishte humbja e parë sezonale për skuadrën që drejton.

“Ishte një humbje që natyrisht nuk na pëlqen. Por tani kemi mundësinë që të fitojmë takimin e fundit në fushën tonë dhe ta mbyllim në vendin e parë në grup. Sa për humbjen e parë, herët e a vonë do të vinte ajo ditë. Por nuk mund të shohim prapa. Gjithsesi nuk kam ndër mend të kritikoj një skuadër që ka bërë një sezon të shkëlqyer deri më tani”, ka shtuar Ançeloti.

Gjithsesi, tekniku i Realit ka nënvizuar se kjo humbje duhet të shërbejë si një mësim për të tijtë.

“Nga humbjet mësohet gjithnjë më shumë se nga fitoret. Zakonisht loja me top të ndaluar është një nga pikat tona të forta. Këtu kemi çaluar ndaj Lajpcigut”, ka thënë italiani.

Exit mobile version