Ndeshjet e sotme në Ligën e Kombeve kanë treguar edhe një herë se ka një ekuilibër të madh mes skuadrave në këtë turne, por edhe se Shqipëria ka një shans të artë për të fituar grupin e saj.
Në Grupin 2 të Ligës B, ku bën pjesë edhe Shqipëria, ndeshja e vetme sot ishte ajo mes Izraelit dhe Islandës e përfunduar në barazimin 2-2. Një rezultat i cili ndihmon në mënyrë indirekte Shqipërinë, pasi në dy ndeshjet që ka në javën e ardhshme ndaj këtyre dy përfaqësueseve, fitoret mund ta vënë menjëherë në kontroll të grupit. Ndeshja ka përjetuar përmbysje rezultatesh pasi ishin vendasit që kaluan të parët në avantazh me Abada, por me nordikët të cilët kthyen ndeshjen në favor të tyre falë Helgason dhe Sigurdson. Goli i Veisman në fundin e sfidës bëri që dueli të mbyllej në barazim 2-2.
Fitorja minimale e Greqisë ndaj Irlandës së Veriut konfirmon ndërkohë helenët si rivalët e Kosovës në Grupin e saj në Ligën C, ku “Dardanët” kanë plane të qarta për të synuar ngjitjen një ligë më lart.

