Mund ta themi: Europa i bën mirë Liverpulit. Anglezët hedhin pas krahëve problemet në Premier Ligë dhe presin biletën në 1/8-at e Ligës së Kampioneve pas një pjese të dytë fantastike në Amsterdam përballë Ajaksit. Skuadrës së Klopit i mjaftonte një barazim për të siguruar kualifikimin një javë më herët.
Por ata ishin me fat që nuk e panë veten në disavantazh në pjesën e parë, përpara se Mohamed Salah të shënonte me të vetmen goditje në portë në 42’. Darvin Nunjez, i cili u rikthye titullar pas dëmtimit, duhet të kishte dyfishuar rezultatin përpara se të shkohej në pushim, por blerja më e shtrenjtë në historinë e klubit goditi shtyllën në mënyrë të pabesueshme me portën e boshatisur. Megjithatë, sulmuesi uruguaian korrigjoi menjëherë shënjestër duke devijuar bukur me kokë goditjen e këndit të Robertsonit menjëherë pasi nisi pjesa e dytë. Tre minuta më vonë Harvi Eliot shënoi edhe golin e tretë pas një asisti fantastik të Salahut.
Liverpuli e dinte që një barazim do të mjaftonte për kualifikimin në fazën me eliminim direkt në sezonin e gjashtë radhazi, por fitorja e thellë në “Cruijff Arena” i rikthen ata në garë edhe për vendin e parë pas një jave në “Anfield”. Do të jetë e vështirë sigurisht përballë Napolit që nuk ka falur asgjë deri tani këtë sezon. Italianët kanë luksin të humbasin me tre gola diferencë dhe sërish të jenë të parët, por “Anfield” është “Anfield” dhe të gjithë e dinë se çfarë ndeshjesh është i aftë të prodhojë Liverpuli përballë publikut të vetë.
ELIOT – Mesfushori i Liverpulit, Harvi Eliot, në moshën 19 vjeç e 205 ditë, u bë adoleshenti i parë që shënon në dy ndeshje radhazi për Liverpulin në Champions. “U përpoqa të bëj një goditje të pastër”, tha talenti i Klopit për “BT Sport”: “Kur vjen në një stadium si ky ti do t’i kesh gjithnjë shanset e kufizuara. Mendoj se në këtë ndeshje ishin shumë klinikë, siç e shikoni edhe nga rezultati. Është një rezultat i mirë dhe një paraqitje pozitive në tërësi”.

