Site icon

Lojë e neveritshme”, kapiteni i Bajernit shpërthen pas shkatërrimit nga Siti: Ishte si goditje në stomak

Bajernit iu desh të kthehej mbrapa në kohë për t’u njohur me shkërmoqjet e fundit në Ligën e Kampionëve. Saktësisht në gjysmëfinalen e parë të viti 2015, Mesi me shokë e shkundën tri herë rrjetën e kampionëve gjermanë, e përfunduar me rezultatin 3-0.

Mançester Siti pas 8 vitesh u “prish” imazhin bavarezëve. Këta të fundit njihen për turpërimet ndaj rivalëve, por mesa duket pllaka është kthyer.

Tomas Myler me pozitën e kapitenit nuk e pati të lehtë ta kapërdijë panoramën e krijuar, madje 33-vjeçari e cilësoi lojën nga të tijtë si të neveritshme, pa i lënë mënjanë as ironitë ndaj boshnjakut Salihamixhiç.

MYLER- ”E vështirë për ta përmbledhur si paraqitje nga kampi ynë. Termi më i duhur që më shfaqet është lojë e neveritshme. Rezultati përfundimtar bën të kuptosh se sa i vështirë do të jetë kalimi për më tej. Shifrat ishin fiks si një grusht në stomak mbi bazë të rendimentit nga të dyja kahet. Episode të caktuara luajnë rol jetik në sfida kaq delikate dhe disfata me përmasa te thella nënkupton shpresat e vakëta, pavarësisht se kemi për të luajtur edhe 90 minuta të tjera”, pohonte me tone të theksuara zhgënjimi lojtari më i vjetër në gjirin aktual të rekordmenëve gjermanë.

Është fakt se shkarkimi i Nagelsmanit erdhi si pasojë e rezultateve të dobëta në kampionat dhe se ai nuk po jepte sinjale pozitive mbi vazhdimësinë. Përtej justifikimeve apo pretendimeve të bordit, Tuhel nuk ka krijuar frymë pozitive, përveç marrjes së kreut në Bundesligë.

Turpërimi në “Eithad Stadium” nxiti gazetarët të ngacmonin Mylerin, nëse ka dëgjuar ndonjë informacion të brendshëm rreth shkarkimit të Tuhelit, ndonëse futbollisti me numër 25 në “Allianz Arena” ia drejtoi shigjetat drejtorit sportiv, Hasan Salihamixhiç.

IRONIZIMI NDAJ BRAZOS- ”Situata nuk është pozitive, megjithatë s’jam personi i duhur për të dhënë shpjegime të tilla. Më mirë pyesin Salihamixhiçin, ai i di më mirë këto punë. Mendja ime po bluan skenarë të ndryshëm në lidhje me duelin e kthimit”, përfundoi mes frazash të shkurtra kapiteni i “armatës” nga Mynihu.

Tabloja e mësipërme, edhe pse me nota ironike nga Tomasi, sërish lë pasoja të pamohueshme, e përkthyer me fuqinë e Salihamixhiçit në menaxhimin jo vetëm të transferimeve, por edhe vendimeve ekzekutive, pavarësisht se Kahn (shefi i Bajernit) dhe Hanier (president) përbëjnë trinomin drejtues të një prej klubeve me tradita në marrjen e vendimeve kolektive.

Vlen të përmendet se Myler kishte mundësinë për të arritur kuotën e 100 fitoreve në Champions ndaj “qytetarëve”, e cila mbeti në tentativë.

Data 19 prill do t’i vërë vulën emrit se cili ekip do të avancojë drejt gjysmëfinaleve, sigurisht nëse Myler do ta kapë kuotën e 100 sukseseve me ngjyrat e rekordmenëve apo duhet të presë sezonin tjetër.

Exit mobile version