Site icon

“Lulzim Basha duhet të japë shpjegim për financimin rus”- Berisha: Rama shpenzon deri në 300 mijë euro për udhëtim

MARIGLEN KUME/ Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi pasardhësin e tij në drejtimin e vendit se shpenzon qindra mijëra euro nga taksat e qytetarëve për luksin e tij.

Kreu i PD u ndal tek udhëtimet e kryeministrit me avion të posaçëm që ka kosto deri në 300 mijë eruo për udhëtim. “Ju çdo ditë jeni dëshmitarë dhe dëgjoni sesi shpiken, aplikohen mënyra të reja vjedhje, në çdo formë. Sesi një kryeministër, mua më vjen keq tua them këtu, por unë 8 vite me ndërgjegje të fortë kam qëndruar me një makinë të një ish ministri socialist, të të ndjerit Marko Bello. Ndërsa ky që është sot blen për oborrin e kryeministrisë 4 mln euro instalacion druri. Ajo që drejton sot ministrinë e Jashtëm bën 15 rrugë me helikopter për qëllime partiake në Dibër, 15 mijë euro secila rrugë. Nuk mund të ndodhin kurrë këto.

Por ndodhin sepse ai vet merr avion në dispozicion ku fluturimi i shkon nga 150 deri në 300 mijë euro”, u shpreh ndër të tjera Berisha. Ndërkohë nga ana tjetër theksoi se për shkak të largimeve të padrejta nga puna e administratës nga kjo qeveri qytetarëve i është krijuar një barrë fiskale prej 200 mijë euro duke paguar kështu dy administrata paralelisht ndërkohë që vetëm njëra punon. “Por ka një gjë tjetër, gjoba që iu vu këtyre taksapaguesve, fatura e këtij largimi sot është 200 milionë euro. Dhe kjo e tëra vetëm për parimet klasore antiligjore, antidemokratike që ka ndjekur Edi Rama nga mandati në mandat. Një gjë është e sigurtë, Edi Rama vërtetohet si një armik i shqiptarëve, si një armik i të drejtave të tyre, armik i votës së tyre, i ligjit të tyre, armik i vërtetë i qenies së tyre, sepse po i detyron ata të largohen më shumë se kushdo nga ky vend”, tha Berisha.

PROTESTA

Ndërkohë më herët në një prononcim për mediat dje Berisha zbardhi dje në një prononcim për mediat planin me disa pika të opozitës kundër qeverisë së Kryeministrit Rama. Në pikën e parë të planit të PD-së sipas Berishës është protesta e fuqishme kundër qeverisë së Kryeministrit Rama. Në përgjigje të ministres Balluku, e cila tha se qeveria i rrëzoi kauzën e protestës opozitës, duke shtyrë fashën prej 800 KË, lideri historik i PDsë u shpreh se arsyet për të protestuar janë më të mëdha se mali i Dajtit. “Problemi është se ne po ecim me shumë plane.

Njëri është plani i protestave të fuqishme kundër Edi Ramës, dhe ky nuk është i vetmi. Plani i dytë është i primareve dhe i standardeve të reja demokratike. Plani i tretë është plani i angazhimit maksimal të shoqërisë në këtë betejë. Pra është një betejë shumëplanëshe. Fasha 800 KË është shpallur para një muaj, ndërsa vjeshta e protestave është një ide e kahershme që duhet të materializohet sa më shpejt. Unë e quajta palosjen e tij nga ultimatumi i opozitës. Ajo u shtua në agjentë. Por, agjenda për betejën me Ramën është më e madhe se mali i Dajtit, po ta quaj në mënyrë figurative”, tha ishKryeministri Berisha.

PËRPLASJET NË PS

Ish-Kryeministri ka komentuar edhe situatën konfliktuale të PD-së ku deklaroi se Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj janë në një betejë ku sipas tij deri më tani duket se po fiton Veliaj. Ndaj sipas tij edhe emri i kryebashkiakut të Tiranës është ndër të parët që rikonfirmohet për të garuar në zgjedhjet e ardhshme lokale. “A mund të ju pyes pak, kush e rikonfirmoi shokun, Veliaj, Ramën apo Rama, Veliajn. Ky është problemi tani, nuk po merret vesh se cili do e rikonfirmojë.

Ju e shikoni tani që Rama është në dy hetime ndërkombëtare dhe kjo është e vërteta, kjo është absolutisht e vërteta. Njëri nuk di për fatin e tij, tjetri është në vazhdim e sipër. Di që në këtë mes, unë nuk besoj atë që thatë ju, që Rama konfirmoi Veliajn. Veliaj, jo presion, por siç e shihni, e vërteta është që mbetet Rama të konfirmohet nga Veliaj. Le të kthehemi pak te beteja që nisi. Promovoi Ballukun si zgjedhjen e tij. Ballukun e degdisi në Dibër, Veliaj. Nuk ishte Rama që e çoi. Rama e solli për Tiranën, Ballukun. Nisi betejën me kullat, Veliaj i tha vazhdo se katet janë të tuat dhe unë do i nxjerr. Se te kullat Rama ka fjalën finale dhe u garantoj ju se, ajo çka në pamje të parë e konsideruat në një betejë kundër Veliajt, Veliaj e ktheu në një betejë kundër Ramës. Pra, mund të ju them se balancat janë spostuar në favor të një njeriu që është në kohëra, fatkeqësia më e madhe e qytetit të Tiranës”, tha Berisha.

PRIMARET

Ndërkohë nga ana tjetër, Berisha bëri dallimin me situatën në PD. Sipas tij, kandidatët për kryetar bashkie në zgjedhjet e ardhshme i caktojnë demokratët dhe simpatizantët. “Opozita nuk i emëron siç i emëron Edi Rama, por do t’i zgjedhë nga qytetarët. Ne miratuam në një mbledhje dy ditë më parë procedurën e përzgjedhjes së kandidateve nëpërmjet primareve, qytetarëve. Shënuam një hap jashtëzakonisht të madh përpara, duke njohur të drejtën e simpatizantëve për të votuar për kandidatin që duan. Pra, sjellim në këto zgjedhje një risi thelbësore në interesin më të mirë të qytetarëve dhe demokracisë.

Ne nuk ka i cakton as droga, as partia shtet, as krimi. Ne kandidatët na i caktojnë qytetarët. Ne po vazhdojmë konsultimet me aleatët, të përcaktojmë këto 2-3 ditë format e daljes. Ka mendime për të dalë me kandidatë të përbashkët dhe unë e mbështes këtë mendim. Por, ne jemi të hapur me aleatët tanë të gjejmë format më të përshtatshme të një gare të suksesshme. Janë i gjithë spektri politik i djathtë. Do të negociohet. Janë parti parlamentare dhe jo parlamentare”, vijoi Berisha.

FINANCIMI RUS

Ndërkohë, duket se takimet e ish-kryedemokratit Lulzim Basha ditët e fundit me drejtuesit e degëve të PD-së nuk e shqetësojnë Berishën. Njësoj si edhe Partia Socialiste, edhe Berisha i kërkoi Bashës të shprehet për çështjen e financimit Rus. “I vetmi koment që kam unë për Lulzim Bashën është të bëjë transparent problemin e fondeve ruse. Kjo është shumë serioze.

E them në mënyrë të vendosur. Unë nuk kam komunikuar kohët e fundit, por Komisioni i Auditit i krijuar për këtë qëllim atij do t’i japë të drejtën të shpjegojë këtë aktakuzë të rëndë, por tërësisht personale, pasi është faktuar se ajo nuk ka pasur lidhje me asnjë institucion të PD-së, nuk ka hyrë dhe dalë nga arka e PDsë, asnjë qindarkë. Kjo është e sigurt. Unë mendoj se është e domosdoshme që ai të sqarojë këtë akuzë të përsëritur, tashmë. U bë njëherë nga gazetarë të “Mother Jones”, por tani nuk janë gazetarë, por shërbime inteligjente të SHBA-së.

Nuk kam asnjë lloj impresioni. U thashë edhe njëherë, me Bashën kam vetëm këtë problem, sa kohë ai është anëtar i PD-së dhe deputet i grupit të PD-së, ai duhet të bëjë transparencë dhe ky është një kusht shumë i rëndësishëm. Nuk mund të pranohet një gjë e tillë pa u sqaruar. Të gjithë presin këtë sqarim”, vijoi Berisha. Ndërkaq, në deklaratën para gazetarëve dje, Berisha i bëri thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe të gjithë shqiptarëve në serbi të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë që po bëhet.

Exit mobile version