Site icon

“Lushnjën e vërtetë do ta shihni me Besën”, Haremi zbulon se ku gabuan me Apoloninë

Lushnja i është futur punës me “kokë”. Edhe pse fundjava nuk ka aktivitete, për verdhejeshilët nuk do të ketë pushim. Kanë kaq shumë për të korrigjuar pas startit zhgënjyes, ndaj stafi teknik po merret me shumëçka. Është përqendruar mbi të gjitha te prapavija që mori 3 gola nga Apolonia, por jashtë vëmendjes nuk ka lënë as ofensivën.

Dje pasdite janë stërvitur në fushën sportive të Plugut dhe fokusi është i gjithi te Besa, kundërshtarin e javës së dytë. Nga skuadra pritet një reagim i shpejtë dhe atë mundohet që ta premtojë Oltjan Haremi. Në një prononcim për gazetën, portieri i rikthyer pas tri sezonesh, tregon Lushnja ishte në një ditë të keqe. 31-vjeçari premton se në vazhdim ekipi do të jetë ndryshe, duke filluar nga ndeshja e radhës me Besën.

“Nuk e nisëm mirë kampionatin. Nuk e prisnim fare të ishim kështu. Ka dhe ditë të këqija futbolli. Edhe ne na qëlloi të ishim kështu. Të gjithë bëmë gabime, por kishim edhe mungesa. Nga e marta kemi nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës me Besën. Duhet të tregojmë që Lushnja është tjetër gjë. Të tregojmë Lushnjën e vërtetë në vazhdimësi, duke filluar nga ndeshja e radhës me Besën”, përfundoi portieri.

Exit mobile version