Ndryshe nga zakonisht, konferenca për shtyp pas ndeshjes është përballuar nga Paolo Maldini, i cili ka marrë vendin e trajnerit përpara mediave.
Si e gjykoni këtë ndeshje?
Një barazim do të kishte qenë si humbje. Do të na kishte ndryshuar shumë edhe qetësinë e ndalesës deri në janar. E morëm këtë fitore me shumë sakrificë dhe pa lojën tonë të zakonshme. Nga ana tjetër, i vërtetuam vetes se kur kemi dëshirë mund t’ia dalim mbanë.
Sa do të ndikojnë mungesat e lojtarëve që do të shkojnë në Katar?
Nuk kemi shumë futbollistë që do të marrin pjesë në Kupën e Botës, por edhe ata që do të shkojnë nuk u kursyen. Zhiru vrapoi për 95 minuta pa e vrarë mendjen për Botërorin. Edhe Dest, që vinte nga dëmtimi, nuk u kursye dhe shtrëngoi dhëmbët për të qenë të paktën në stol.
Çfarë note i jepni rendimentit të Milanit në këtë fazë të parë?
Kemi dy pikë më parë se vitin e kaluar, por diferencën e bën ecuria e jashtëzakonshme e Napolit. Ne jemi pak a shumë me të njëjtën shpejtësi. Nëse duhet të qortoj ndonjë ndeshje, mund të veçoj atë të Kremonës, teksa në të tjera kemi korrur atë që kemi mbjellë, ndaj edhe unë nuk kam për çfarë të qortoj djemtë.
Pra jeni i kënaqur?
Jemi të dytët në kampionat dhe në 1/8-at e Champions-it. Presim ende të rikuperojmë lojtarë, ndaj rruga jonë mundet të përmirësohet ende. Fitorja e titullit dhe entuziazmi që na la brenda zemrave na ka bërë të kuptojmë se kemi një tjetër lloj vetëbesimi për cilësitë tona.
Mund të themi se ndaj Fiores Milani fitoi me dhunë?
Mund të shënonin si ata ashtu edhe ne. Rreziku ishte dhe për ne një pikë do të kishte qenë si humbje. Provuam deri në fund dhe ndonjëherë vullneti i madh bën diferencën.
Si e gjykoni situatën e De Ketelares?
Po vuan, sepse ka disa muaj në një ambient të ri dhe me presion të cilin nuk është mësuar ta mbajë. I kemi bërë një kontratë pesë vjeçare për t’i treguar se besojmë. E presim ashtu siç presim edhe Origin pasi kanë cilësi për të qenë vendimtarë. Fundja kemi shumë shembuj lojtarësh të cilëve u është dashur pak kohë për të kuptuar se çfarë do të thotë të luash për Milanin.
Mendoni se mund ta mbërrini Napolin?
Sigurisht që po. Vjet përpara derbit të përmbysur ishim 7 pikë larg kreut dhe më pas fituam titullin. E dimë që nuk do të jetë e lehtë të mbajmë këtë ritëm deri në fund, por e dimë që duhet edhe të rritemi në shumë aspekte. Ndaj Napolit meritonim të fitonim, por tani presim janarin dhe Ibrën. Më pas do të shohim se çfarë do të jemi në gjendje të bëjmë