Fitorja ndaj Olimpik Marsejës, në klasiken e futbollit francez, ka shkëputur edhe më shumë PSG-në në kryesimin e kampionatit dhe e shtyn drejt titullit të radhës. Për skuadrën e Kristof Galtie, sot kishte festë për Mbape, por edhe keqardhje për Kimpembe.Mbape sot hyri në historinë e PSG-së, pasi me 2 golat e shënuar në suksesin 3-0 të skuadrës së tij, arriti në kuotën e 200 golave në ndeshje zyrtare më këtë klub. Kështu, ai barazoi Edinson Kavanin i cili mbante vendin e parë në historinë e golashënuesve të PSG-së dhe që në ndeshjen e ardhshme do të ketë mundësinë që të bëjë të vetin tërësisht këtë rekord të veçantë.
Por paralelisht me festën e sulmuesit i cili është kthyer në formën më të mirë dhe shpresohet që të ndihmojë ekipin në vijimin e sezonit, ka edhe dëshpërim për Presnel Kimpembe. Mbrojtësi i kombëtares franceze, u dëmtua gjatë një përplasje që në minutat e parë të duelit dhe la fushën e lojës në barrelë mes dhimbjeve. Pas sfidës, trajneri Galtie dha para gazetarëve lajmin e keq.
“Kimpembe ka mbyllur sezonin”, theksoi ai, duke bërë të qartë se mbrojtësi i cili në këtë sezon kishte vuajtur dëmtime të njëpasnjëshme, tani nuk do të kthehej deri në fillimin e edicionit të ardhshëm. Një lajm i keq për parisienët sidomos sa i përket ndeshjes së kthimit të Ligës së Kampioneve ndaj Bajernit, ku do të tentojnë të përmbysin humbjen e sfidës së parë në shtëpi.