Milani nis sezonin nga siguritë e vjetra (Zhiru), të cilave u shton zgjidhje të reja. Në Bolonja skuadra mori tri pikë, tregoi momente loje interesante, megjithëse forma është ende delikate, siç është normale të jetë në këtë pikë të sezonit.
SIGURITË – Olivie rifilloi rrugëtimin e golave të ndërprerë vetëm në javën e fundit të kampionatit të kaluar. Të hënën ai e gjeti golin me mbështetjen e Reijndersit, teksa në të dyfishin e shifrave kontribuoi me asist për Pulisiçin. Një tjetër zbulim i verës kuqezi. Nëse Zhiru vazhdon të shënojë, sinjali tjetër i ardhur nga Bolonja është se merkatoja funksionon. Nëse Pulisiçi gëzon bashkëkombësin Kardinale, LoftusÇik dhe Reijnders i gëzuan të gjithë me paraqitjen e tyre. Sigurisht, mekanizmat mbrojtës duhen riparë, por ky është një problem që duhet ta zgjidhin “të vjetrit”, pasi prapavija është i vetmi repart që nuk është prekur gjatë verës.
EDHE PULISIÇ – Me golin e së hënës, Kristian Pulisiç barazoi golat e shënuar në sezonin e fundit me Çelsin: një. Gjithashtu, ai avancoi edhe në balotazhin e krahut të djathtë me Çukvuezen. Pioli do të jetë në gjendje t’i gjejë vend nigerianit, duke propozuar një Milan edhe më ofensiv, me amerikanin si fantazisti dhe “Çukun” në korsi. Fanella e Pulisiçit ishte fanella e dytë më e shitur e verës, pas Leaos 10: Ish-dortmundasi është i dobishëm për të nxitur biznesin amerikan të Kardinales (në Shtetet e Bashkuara fanella më e shitur ndonjëherë e “djallit” është pikërisht ajo me numrin 11), por mbi të gjitha është në fushë që Kristiano po ndikon siç pritej.
Meqë jemi tek efekti i tij, duhet thënë se edhe në “Twitter” ishte etiketimi më i përdorur pas Bolonja-Milan. Pulisiç është amerikani i pestë që shënon në Serie A pas Lalas, Bradleit, Mekenit dhe Buzios, por i pari që ia del në debutim. Ai ka shtuar tashmë peshën në të djathtë të sulmit kuqezi, duke rikthyer ekuilibrin në një ekip që më parë anonte qartë në të majtë, në sajë të Leaos. Të njëjtin funksion ka edhe Çukvueze, i cili e mori në pjesën e dytë në vend të kolegut amerikan. Për Piolin, nigeriani, i cili erdhi pas një fillimi të ngadaltë të verës me Vijarrealin, e ka ende frenën e dorës pjesërisht të ndezur. Një seri tjetër stërvitjesh te “Milanello” do të mjaftojë për ta çliruar.
REIJNDERSI FLUTURUES – Nëse Milani me anësorët e rinj (Pulisiç dhe Leao asistentë të Zhirusë në 4-3-3) u arratis menjëherë, kjo ishte edhe falë Tizhani Reijndersit, me asistin e parë fluturimthi për golin e Zhirusë. Në sezonin e fundit në Holandë ai kishte shërbyer si tetë: një specialitet i repertorit, i ekspozuar menjëherë në vitrinat italiane. Ndodhja e holandezit në zonë ishte konstante në lojë: ose ai u ofron thellësi shokëve të skuadrës, ose futet drejtpërdrejt. Tizhani është vertikal dhe dinamik, me një gjallëri që nuk përfundoi as në pjesën e dytë apo edhe pas disa tërheqjeve në mbrojtje: ai është i vetmi nga tri blerjet e reja që qëndroi në fushë për të gjithë 90 minutat.