Site icon

Milano pret me stuhi Tonalin: “San Siro”, luftë me emocionet

Njukasëlli ka mbërritur në Milano disa orë me vonesë ditën e djeshme dhe shkak për këtë ka qenë stuhia e fortë në qytetin e mësipërm.

Përpos kësaj aventure të jashtëzakonshme për “qymyrxhinjtë”, ata duhet të përballeshin me pengesën e parë, që nuk kishte lidhje në fushën e blertë. Sandro Tonali ishte përzgjedhur për t’u prononcuar në zonën e intervistave, ku pritej me padurim fjalët e një ish-milanisti, i cili befasoi jo pak me zgjedhjen për të kaluar në Angli dhe lënë “të gjymtuar” mesfushën e kuqezinjve.

PËRJETIMI- ”Do të përpiqem t’i mbys emocionet. Nuk është e lehtë të luash si kundërshtar ndaj një ekipi tejet të veçantë në zemrën time dhe tifozërisë që të ka mbështetur. I mbaj mend thuajse të gjitha duelet e zhvilluara në ‘San Siro’. Ndjesi e çuditshme të vij si mik në shtëpinë time para një viti”, tha mes notash të larta emocionale Tonali.

TIFOZËT- ”Të dyja kampet e tifozërisë duhet të shijojnë këtë takim delikat rreth fatit mbi vazhdimësinë. Mund të ndodhë gjithçka, asgjë nuk është e sigurt. Milani ka bërë mirë javët e para, pavarësisht se derbi mori një rrjedhë të çuditshme në rezultatin përfundimtar. Atmosfera nuk është aq pozitive, sepse derbi lë gjithmonë pasoja tek i mposhturi”, shtoi 23-vjeçari italian.

PËRQAFIMI ME PIOLIN- ”Diskutuam shumë tema të ndryshme, përveç futbollit. Ishte një takim pas disa muajsh distancë. Kaluam 15 minuta të këndshme, si dy miq të mirë që gëzojmë respekt reciprok, pavarësisht rrugëtimit profesional”.

IBRA NË MILANO-”Rikthimin e Ibrahimoviçit në qendrën stërvitore të ish-ekipit e pashë në rrjete sociale. Ai mbetet pikë referimi, ndonëse nuk bën pjesë në kontingjent. Jam i bindur se Zlatani do të përcjellë energji te lojtarët. Negativiteti nuk ekziston në menynë e suedezit”, përfundoi Sandro Tonali.

Exit mobile version