Site icon

Nga skemat te problemet ekipore, ish-trajneri Saki komenton para Milan-Inter: Superkupa vendimtare për trajnerët

Superkupa është refreni i ditëve të fundit për futbollin italian dhe askush më mirë se Arrigo Saki nuk mund të analizonte përballjen mes Interit dhe Milanit. Ish-trajneri nuk është tërhequr dhe ka komentuar gjithçka në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.Me titullin thuajse të ikur, a mund të lehtësojë Superkupa sezonin e Milanit dhe Interit?

Me titullin nuk kanë mbaruar punë, sepse duhet luajtur edhe faza e dytë. Napoli luan futboll elitar, ndërkohë që Interi e Milani ndonjëherë i bien shkurt. Për këto arsye, Superkupa nuk do t’i ndryshojë realitetin askujt.

Përse Milani dhe Interi po luajnë kaq dobët?

Interi mbështetet më së shumti në takticizma e kjo u pa edhe të shtunën me Veronën kur pasi shënuan nuk mbajtën në dorë frerët e lojës. Milani që vjet bëri mrekullinë, beson tek idetë e për këtë ka investuar në formë tjetër. Por tani po bën llogaritë me pasoja siç i ndodhi Italisë pas Europianit.

Mos kuqezinjtë janë të ngopur që tani?

Kështu duket ndonjëherë, por Milani fiton vetëm kur kolektivi është i plotë. Në ndeshjet e fundit nuk ka qenë dhe disa individë janë lodhur duke qenë gjithmonë në fushë.

Po Interi përse duket më pak cinik?

Sepse zikaltrit vuajnë gjithmonë për formacionin, pasi nuk kanë një të tillë. Edhe loja nuk është e njëjta, ndaj them se fitorja me Napolin ishte një iluzion. Vlejti vetëm për tri pikët.

Lukaku dhe De Ketelare po vuajnë shumë. Përse?

Sulmuesi i Interit ishte protagonist në një tjetër skuadër dhe tani po paguan pasojat e 18 muajve të fundit. De Ketelare futet në fushë si humbës dhe duket shumë konfuz. Të huajt në Serinë A vuajnë, ndaj mbase duhet pritur edhe pak.

Rinovimet e Leaos dhe Shkriniarit mund t’i ndikojnë këta lojtarë?

Grykësia nuk të bën fisnik e kjo vlen për të dy. Nëse je yll futbolli dhe fiton shumë, nuk ke përse të kërkosh më tepër. Më mirë luaj aty ku je dhe shijo dashurinë me atë rrogë që ke.

Superkupa vlen më tepër për Interin apo për Milanin?

Për të dyja, por sigurisht që nuk fitohet vetëm të mërkurën. Fituesja do të ketë benzinë shtesë për rrugën e gjatë të sezonit. Interi ka vlera individuale superiore dhe ndoshta për këtë arsye është favorit. Ndërsa Milani mund ta bëjë trofeun të vetin vetëm nëse gjen përsëri përulësi dhe ekuilibër.

Cilat janë dallimet mes Piolit dhe Inzagit?

Inzagi është në të gjitha aspektet një takticien, ai që luan me gabimin e kundërshtarit. Pioli ishte, por ka evoluar, më në fund është bërë strateg, me idetë dhe parimet e tij. Edhe pse ndonjëherë bie përsëri në tundimet e vjetra. Të dyve u rekomandoj guximin, sepse fiton kush shfaq më shumë.

Exit mobile version