Site icon

Nisi në 2006-ën, por u kurorëzua 16 vjet më pas! Mesi, 4568 ditë për t’u ngjitur në çatinë e botës

1 8 dhjetor 2022! 4568 ditë që nga ajo e 16 qershorit 2006! Nga Serbia te Franca, nga Pekerman te Skalo ni, nga Gelsenkirsheni (Gjermani) në Doha (Katar), nga Sorini kapiten dhe Rikelme si numri 10-të i Argjentinës. Aty ka qenë gjithnjë dhe Leo Mesi.Mbrëmë është mbyllur aventura emocionuese e fenomenit nga Rozario me Kupën e Botës, kompeticioni që prej kohësh e kishte lënë të pagjumë. Ky ka qenë kërcimi i fundit i Leos në Kupën e Botës. Pas saj lë shenja të të gjitha llojeve, përfshirë atë të lojtarit që ka luajtur më shumë ndeshje, 26 me ndeshjen e djeshme. Secili ka gjurmën e tij në historinë e tij.

16.6.2006 Debutimi me “Dorën e Zotit” – Zëvendësues në debutimin e Argjentinës kundër Bregut të Fildishtë për shkak të dëmtimit, Leo nuk u paraqit deri në ndeshjen e dytë: 6-1 ndaj Serbisë me golin e tij për të mbyllur fitoren pas hyrjes në minutën e 75-të. Ai luajti me këpucë në të cilat shkruhej “Dora e Zotit”, duke iu referuar golit të Maradonës në Botërorin e vitit 1986 kundër Anglisë.

21.6.2006 E para si titullar – Edhe pse Pekerman e fshehu, Mesi nisi si titullar në barazimin 0-0 ndaj Holandës. Kavilja e Leos ishte një debat mbarëbotëror. Loja ishte shumë e ashpër dhe 19-shi argjentinas pothuajse nuk u pa në fushë. Argjentina kaloi si e para.24.6.2006 Shtesa e parë – Duel i jashtëzakonshëm kundër Meksikës që u zgjidh me një gol të madh të Maksit në minutën e 98-të. Mesi ishte sërish zëvendësues dhe hyri në minutën e 84-t në vend të Saviolës. Lëndimi nuk po shkonte mirë, aq sa në çerekfinale kundër Gjermanisë mungoi. Imazhi i tij në stol bëri xhiron e botës. Nuk u tha atëherë, por më vonë u qartësua se Pekerman e dinte më mirë se kushdo se Mesi as nuk mund të ecte.

12.6.2010 E para si 10- Kundër Nigerisë, në “Elis Park” në Johannesburg, Mesi luajti ndeshjen e tij të parë në Kupat e Botës me fanellën me numrin 10. Një gol nga Haince pas pesë minutash i dha fitoren Argjentinës së Maradonës ndaj Nigerisë. Mesi bëri një paraqitje të mrekullueshme, por portieri nigerian Enejama ia mohoi golin vazhdimisht.

17.6.2010 Tripleta e Higuain – Argjentina mori përpara Korenë e Jugut, pavarësisht se golin e parë të ndeshjes e shënuan aziatikët. Mesi dhe Tevez u futën në lojë, por heroi i ndeshjes ishte Pipita Higuain me tre gola.

22.6.2010 Hera e parë si kapiten në Botëror – Mesi mbajti shiritin e kapitenit për herë të parë në Kupën e Botës. Argjentina e mbylli fazën në grupe me pikë të plota (0-2 ndaj Greqisë në ndeshjen e fundit) në një ndeshje ku Mesi u godit me shkelma, ndërsa vetë goditi një shtyllë.

27.6.2010 Polemikat e para – Përsëri Meksika në 1/8-at. 1-0 i Argjentinës erdhi kur Tevez ishte qartësisht jashtë loje. Për habinë e të gjithëve, rasti u përsërit në ekran ku doli në pah gabimi i jashtëzakonshëm i arbitrit. “Nuk duhet ta kishin përsëritur rastin në ekran. Nëse do të ma anulonte golin do ta vrisja”, deklaronte Tevez. Një goditje ndaj Mesit nga Rafa Markez ndezi më shumë ndeshjen. Argjentina kaloi më tej 3- 1.

3.7.2010 I shkërmoqur – Me Angela Merkel që jepte spektakël në tribunë duke kërcyer, Gjermania shpartallonte Argjentinën në çerekfinale: 4-0. “Ishte humbja më e rëndë që më përkoi të përjetoja: deklaronte Maradona pas ndeshjes. Mesi mungonte në Kejp Taun dhe mbylli Kupën e Botës në Afrikën e Jugut pa shënuar.

16.6.2014 Nis të shënojë – Mesi mbërriti në Kupën e Botës në Brazil në pjekuri të plotë, teksa ishte në përvjetorin e tij të 27-të. Fillimi ishte i vështirë, por Argjentina mundi Bosnjën 2-1 me golin e Mesit. Atë ditë, Leo vrapoi 8.6 kilometra, një shifër shumë më e lartë se ajo në fundin e sezonit me Barcelonën.

21.6.2014 Goli i parë me vlerë fitoreje – Kundër një Irani shumë të organizuar, një goditje nga Mesi në minutën e 92-të çekuilibroi lojën. Ishte hera e parë që ai shënonte në dy ndeshje radhazi në një kampionat botëror. Për më shumë ishte goli i tij i parë që i jepte Argjentinës një fitore. Gjithçka ndodhte ndërkohë që Argjentina ndodhej në mes të luftës GrondonaMaradona. “Ai iku dhe ne fituam”, tha presidenti i federatës argjentinase kur Diego u largua para përfundimit të ndeshjes.

25.6.2014 Dygolëshi i tij i parë – “Super Mesi” ishte titulli i gazetës spanjolle “Marca” në kronikën e takimit mes Argjentinës dhe Nigerisë 3-2 në Porto Alegre. Ky ishte dygolëshi i parë i Mesit në një kampionat botëror. Ishte goli i tij më i shpejtë pas 2 minutash e 25 sekondash dhe i vetmi i shënuar prej tij me goditje dënimi në një Botëror.

1.7.2014 Vuajtje – “Diçka hyjnore na ndihmoi”. Kjo ishte fraza e Ezekiel Garait që përmbledh më së miri atë çfarë përjetoi Argjentina përballë Zvicrës në Sao Paolo. Mesi mori ekipin përdore, por goli nuk erdhi deri në minutën e 118-të falë Di Marias. Argjentina rrezikoi deri në fund me Blerin Xhemailin që goditi shtyllën në minutën e 121.

5.7.2014 Dita e Higuainit – Belgjika e kontrolloi mirë Mesin në Brazilia, por nuk mundi të ndalte Gonzalo Higuainin, i cili shënoi në minutën e tetë. Argjentina u kthye në një gjysmëfinale të Kupës së Botës 14 vite më vonë, por në atë ndeshje humbi Di Maria për shkak të një dëmtimi.

9.7.2014 Penalltitë e Van Galit – Rivaliteti argjentinas-holandez është i hidhur, siç e kemi parë edhe në këtë Botëror. Gjysmëfinalja e vitit 2014 ishte një përballja e ashpër e zgjidhur nga lotaria e penalltive. Mesi, mjaft mirë i neutralizuar nga Argjentina gjatë kohës së rregullt dhe shtesës, shënoi golin e parë nga lotaria e penalltive, duke i hapur rrugën drejt finales skuadrës argjentinase.

13.7.2014 Goditja e madhe – Argjentina ishte përgatitur për festë, por kupa shkoi në Gjermani me një gol të Gëces në kohën shtesë. Mesi u zgjodh lojtari më i mirë i Botërorit, por që Leos nuk i interesonte aspak. “Nuk më intereson asgjë, doja vetëm të ngrija kupën”, nënvizonte Mesi.

16.6.2018 Nisja e keqe – Argjentina e Sampaolit jetonte në prag të histerisë. Në Rusi e nisën me barazim ndaj Islandës. Muri viking nuk u kapërcye nga Argjentina dhe Mesi humbi një penallti pas 64 minutash lojë. 1-1 nuk lëvizi.

21.6.2018 Në prag të humnerës – Një gabim i rëndë i Kabajeros i çeli rrugën fitores 3-0 të Kroacisë. “Sampaoli të thotë çfarë të dojë”, deklaronte Aguero pas ndeshjes. Argjentina ishte fare pranë eliminimit.

26.6.2018 Agoni për të shkuar në 1/8-at – Me nervat në maksimum, Argjentina mundi të kalonte me sukses fazën në grupe. Për Argjentinën shënoi Mesi, barazoi Nigeria dhe 4 minuta nga fundi Roho i dha fitoren “Albiçelestëve”. Ndalesa tjetër ishte Franca.

30.6.2018 10-ta ishte Mbape – Asnjë shans për Argjentinën. Sepse te Franca u shfaq një lojtar i mbinatyrshëm, i quajtur Kilië Mbape. Fitorja 4-3 e Francës e çonte Mesin në shtëpi me pikëpyetjen e madhe nëse do të kishte mjaftueshëm karburant për të mbërritur në “Katar 2022”. Maskerano i dha fund karrierës me kombëtaren në Kazan mes lotësh.

22.11.2022 Si në 1990-ën – Favorite si Franca apo Brazili, Argjentina e nisi me një disfatë ndaj Arabisë Saudite. Shënoi Mesi, pas një penalltie të rrallë, teksa Argjentinës iu mohuan tre gola. Objektivit të Argjentinës iu përsëritën skenat e vitit 1990 në Itali: disfatë kundër Kamerunit në start dhe më pas në finale.

26.11.2022 Mesi ndez dritën – Me peshën e rëndë të eliminimit si në Rusi, Mesi shënoi 1-0 kundër Meksikës dhe Enco e mbylli ndeshjen. Në fund të tunelit po shfaqej drita.

30.11.2022 E vetmja ndeshje pa gol – Ajo ndaj Polonisë është e vetmja ndeshje e këtij Botërori pa golin e Mesit. Shansi iu dha, por përballë Sheznit shpërdoroi një penallti pas mjaft polemikash. Në fund Argjentina fitoi pa probleme 2-0.

3.12.2022 Dominim dhe frikë – Aty ku duhej të ishte Danimarka u shfaq Australia. Argjentina e çoi ndeshjen sipas planit të saj (2-0), por në fund rrezikoi ta çonte ndeshjen në shtesë.

9.12.2022 Çfarë shikon budalla?! – Rivaliteti Argjentinë-Holandë shpërtheu në Lusail me gjyqtarin spanjoll, Mateu Lahoz, në mes. Mesi nuk i harroi mesazhet nga Van Gal dhe ajo natë përfundoi në zënka. “Çfarë po shikon, budalla?”, i tha Mesi Veghorstit. Një batutë që bëri xhiron e botës.

13.12.2022 Bota nën këmbët e Mesit – Gjysmëfinalja kundër Kroacisë (3-0) erdhi pas një ndeshjeje të shkëlqyer të Mesit. Veprimi i tij në golin e 3-0 të Argjentinës bën pjesë në veprat e tij më të mira.

18.12.2022 Në çatinë e botës – 4568 ditë që nga ajo e 16 qershorit 2006! Pesë Botërorë në ndjekje të ëndrrës, 26 ndeshje (rekord, askush si Leo) dhe dy gola në finale për të udhëhequr Argjentinën të kthehet në majën e botës pas 36 vjetësh. Në vitin 1986 ishte Diego Armando Maradona, në vitin 2022 është Leo Mesi. Nga dhjeta e “Dorës së Zotit” në dhjetën e “Pleshtit”.

Exit mobile version