Ballkani e ka mbyllur në fazën në grupe aventurën e vet në Ligën e Konferencës, ku në ndeshjen e fundit të luajtur sot është mundur me shifrat 1-0 në fushën e CFR Kluzh në Rumani.
Skuadra e Dajës ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë dhe vetëm një pavëmendje në fillimin e sfidës i kushtoi shumë shtrenjtë teksa solli golin e ekipit vendas. Më pas, ajo kishte kontrollin e lojës, ndërsa duhet theksuar se Stivi Frashëri u bë protagonist duke pritur një penallti dhe më pas përsëritjen e saj.
Por në fund dëshira e mirë nuk mjaftoi dhe skuadra vendase iu gëzua fitores dhe kualifikimit, ndërsa Ballkani largohet nga Europa me ndjesinë se mund të kishte qenë edhe më shumë protagoniste në një edicion i cili gjithsesi do të mbetet historik për të.

