Interi ka arritur një fitore fantastike përballë Napolit në transfertë me rezultatin 0-3. Një fitore që ka marrë vëmendjen edhe të ish-trajnerit legjendar të Milanit, Arrigo Saki. Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, italiani u shpreh se nëse zikaltrit vazhdojnë të luajnë në këtë mënyrë, atëherë e meritojnë plotësisht titullin.
“Nuk e kam problem ta them, nëse Interi luan siç luajti me Napolin, e meritojnë titullin. Gjithsesi, nëse ata i interpretojnë ndeshjet siç bënë në Torino kundër Juves, atëherë çdo gjë mund të vendoset në pikëpyetje. Juve-Inter sa i përket kënaqësisë, ishte një sfidë që e vrau futbollin. Por Napoli-Inter ngjalli entuziazëm.
Zikaltrit luajtën të hapur dhe për këtë arsye, rezultati ishte i tillë që nuk e shikon shpesh në kampionatin italian. Skuadra e Simone Inzagit tregoi kualitet, eksperiencë, fuqi, shpejtësi. Dhe më në fund, unë nuk pashë 5-6 lojtarë në mbrojtje.
Interin mund ta rrezikojë ndjesia se më në fund e arritën. Është një rrezik që vjen pas një performance të tillë kundër Napolit. Zikaltrit nga ana tjetër duhet ta konsiderojnë këtë sukses si një pikë nisjeje. Nëse Simone Inzagi e bënë të ndodhi sërish me më shumë kurajë, hapësirat do të hapen dhe në nivele ndërkombëtare. tani ata duhet të vazhdojnë të qëndrojnë me këmbë në tokë, pa menduar se janë fenomena”, u shpreh Saki.

