“Nuk më interesonte nëse takojmë Mesin apo jo… Luan ai apo jo në finale. E vetmja gjë që dua është të ngre trofeun e Kupës së Botës në qiell së bashku me shokët e mi”. Kush mendon se Franca do të ndiente mungesën e Pol Pogbasë dhe N’Golo Kantesë në “Katar 2022” është gabuar rëndë, pasi Orelian Çuomeni i ka bërë i vetëm të dyja detyrat në mënyrë perfekte.Ka mbrojtur, por ndërkohë punon edhe në sulm, madje shënoi edhe një gol kundër Anglisë, që kontribuoi në arritjen e kësaj finaleje të dytë radhazi për Francën.
Madje, për të treguar edhe më shumë karakterin e tij prej lideri, me të dëgjuar deklaratën e shokut të skuadrës, Antuan Grizman, Çuomeni ka vendosur që të vërë bast kundër tij: “Ndoshta, ne të rinjtë, duke nisur nga unë, nuk arrijmë ta kuptojmë ende se çfarë kemi arritur, por sa më shumë kalojnë orët, aq më tepër ndihem krenar për kombëtaren time dhe për veten. Por mbi të gjitha duam ta çojmë deri në fund këtë mision dhe të dielën do ta mësojmë të gjithë sesi do të përfundojë kjo histori. Mesi, më i miri në këtë Botëror, sipas Grizmanit? Ndoshta për atë po, por unë kundrejt tij zgjedh Mbapenë. Madje, të dielën Kilië do t’ia tregojë atij dhe të gjithë botës se kush është futbollisti më i fortë në botë. Jam gati të vë bast për të çdo herë”, bëri presion Çuomeni.

