Site icon

“Open Data” zbardh raportin dhe ngre alarmin: 25% e tenderëve u dhanë pa garë dhe në mungesë të plotë konkurrence

Plot 25% e tenderëve që u finalizuan me sukses gjatë vitit që shkoi u dhanë pa garë, pasi në to u dorëzua vetëm 1 ofertë. Sipas të dhënave zyrtare nga sistemi i prokurimit elektronik, rezulton se numri i procedurave të prokurimit mbi 1 000 000 lekë, me një ofertë të dorëzuar dhe të finalizuara me njoftim fituesi është 1 645, nga totali prej 6 494 tenderësh që u zhvilluan përgjatë periudhës janar – dhjetor 2022. Agjencia e Prokurimit Publik nuk ka bërë me dije fondin total që është prokuruar në këtë formë, ndërkohë që një vit më parë kjo shifër ishte 330 mln euro apo 21% e fondit total të prokuruar. Realizimi i procedurave të prokurimit publik me vetëm një pjesëmarrës nuk është i ndaluar nga legjislacioni në fuqi, por gjithsesi ato përbëjnë arsye për ngritjen e flamujve të kuq, për shkak të mungesës së konkurrencës. Ndërkohë që, sipas “Open Data Albania”, që ka në fokus monitorimin e procedurave tenderuese, shpesh këto procedura më shumë se mungesë konkurrence në treg shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzim dokumentesh në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste, ndaj këto tendera meritojnë të konsiderohen të ekspozuara dhe me risk. Nga ana tjetër, mungesa e konkurrencës ul mundësitë e kursimit të parave publike, pasi vlerësimi i ofertës mbi çmimin më të favorshëm të ofruar është i pamundur.

Përjashtohen nga tenderët 38 operatorë, shumica la kontratat në mes

Ndërkohë, të paktën 38 biznese janë përjashtuar nga tenderët me fonde publike. Agjencia e Prokurimit Publik në raportin vjetor të vitit 2022 nënvizon se këto biznese kanë kryer shkelje nga më të ndryshmet e për rrjedhojë kanë humbur të drejtën e pjesëmarrjes në garat që hapin institucionet publike për afate të ndryshme.“Në kuadër të procedimit administrativ ndaj operatorëve ekonomikë: është marrë vendimi për përjashtimin nga e drejta për të fituar kontrata publike, për 38 operatorë ekonomikë, sipas parashikimeve të nenit 78/1 të LPP. Është vendosur mos përjashtimi për 13 operatorë ekonomikë për shkak se, nuk plotësoheshin kushtet e parashikuara në nenin 78 të ligjit të prokurimeve publike. Është vendosur pezullimi i procedimit për 11 operatorë ekonomikë, për shkak të procesit gjyqësor” thuhet në raportin e APP. Duke analizuar arsyet e kësaj vendimmarrje Agjencia vlerëson se shumica e përjashtimeve kanë ardhur si efekt i mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale. Të paktën 20 operatorë kategorizohen në këtë grup.“Vendimet e përjashtimit të dhëna në këto raste, kanë qenë për mos përmbushje të detyrimeve kontraktore gjatë kontratave të nënshkruara kryesisht në përfundim të procedurave të prokurimit me vlerë të vogël, por edhe për mos përmbushje të kontratave të nënshkruara pas zhvillimit të një procedure konkurruese prokurimi”, thuhet në raport. APP ka sjellë në vëmendje se në grupin e të përjashtuarve ka edhe raste të keqinformimit për qëllime kualifikimi. Të tillë janë keqinformim, nëpërmjet paraqitjes në tender të deklaratës së gjendjes gjyqësore, ku shoqëria ka deklaruar se, nuk është dënuar për shkelje penale, ndërkohë që nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ortaku/administratori kanë qenë të dënuar penalisht. Keqinformim nëpërmjet paraqitjes së deklaratës se, nuk ka masë ligjore në fuqi, ndërkohë që nga raportimet e dërguara nga ISHPPSH ka rezultuar se ka pasur gjobe ne fuqi. Keqinformim në deklaratën e dhënë se, i ka të paangazhuara në kontrata të tjera, makineritë, më të cilat ka ofertuar, ndërkohë që nga verifikimet ka rezultuar se mjetet i ka pasur të angazhuara. Keqinformim nëpërmjet paraqitjes së faturës tatimore për të provuar disponimin e një mjeti, ndërkohë që, ka rezultuar se fatura tatimore është i padeklaruar në organet tatimore. Keqinformim në deklaratën e dhënë për disponimin e sistemit të kartave te karburantit. Keqinformim në deklaratën e dhënë për stafin teknik.

Exit mobile version