Site icon

Pagova rezultatet në Torino, në Champions forca Milan”, Pirlo: Do të kthehesha me vrap te Juventusi

Udhëtimi i tij më i rëndësishëm kalon përmes Stambollit dhe Andrea Pirlo po e bën këtë me shumë kurajë. Karagymryku i tij ka një seri pozitive prej 10 ndeshjesh, rekord absolut për historinë e klubit, por nuk ka ndërmend që t’i vërë aspak limite vetes.Për këtë arsye, e ardhmja bashkohet me të tashmen dhe Italia e tij rikthen sytë nga Andrea, që është edhe objektivi konkret i “Maestros”: “Seria A është shtëpia ime, por eksperiencat që kam bërë mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë konfirmojnë se është e rëndësishme që të shohësh përreth, të njohësh kultura të ndryshme, pasi prej tyre vetëm mund të mësosh dhe të shtosh eksperiencë në bagazh”, bën hyrjen e tij Andrea Pirlo, në një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”.

Andrea, si po ju shkon?

Mirë mund të them. Jemi të nëntit dhe me një ndeshje më pak të luajtur se të tjerët. Kemi sulmin e tretë më të mirë të kampionatit dhe një bomber si Boriniha që ka shënuar 15 herë deri tani. Jam i kënaqur, pasi kam në dispozicion shumë të rinj në rritje progresive, por mbi të gjitha tani futbollistët e mi po nisin të shijojnë, të dëfrehen duke luajtur dhe për mua ky është aspekti më pozitiv.

Kush është lojtari që po shkëlqen, ai që po vihet në vitrinë më shumë se kushdo tjetër nën drejtimin tuaj?

Mbrojtësi Tajan Banija, të cilin kanë nisur shumë ta ndjekin. Dhe më e bukura është se ka lindur në Bolonja, ndërkohë që hapat e parë si futbollist i ka hedhur te Verona deri në rangjet e të rinjve. Gjithsesi, unë dua të sponsorizoj Levent Merçan, i cili ishte një fantazist, por që unë e kam transformuar në një mbrojtës krahu, ku po bën vërtet gjëra të mëdha. Në përgjithësi, kampionati turk ka nivel të mirë, me skuadra kompetitive edhe në Europë, ndaj ndihem mirë për momentin.

Po jeta në Stamboll si është?

Unë jetoj në spondën europiane, në Nisantasi, sipër Beshiktashit. Nga shtëpi ime shihet qartë Bosfori edhe është një spektakël unik. Sigurisht, ka një trafik të çmendur, por po flasim për një metropol prej 20 milionë banorësh, të cilët të japin realisht shumë energji. Dhe akoma më shumë se kaq, ashtu si në Itali, kanë një pasion të çmendur për futbollin.

Kaluat muaj të vështirë pas tërmetit…

Fatkeqësisht… Shumë të vdekur, shumë familje në zi. Muaj të trishtë, por ky popull do të ringrihet.

Është në planet tuaja të qëndroni ende?

Drejtuesit ma kanë ofruar që tani rinovimin, por është më mirë të flasim në fund të sezonit.

Pra, prisni të shihni se çfarë do të ndodhë nga diku tjetër?

Të shohim çfarë na ofron edhe bota jashtë… Gjithsesi, mua më intereson të rritem në vendin e duhur, me programet e duhura. Pjesa tjetër do të vijë vetiu.

Si ju duket Seria A nga larg?

I përhershmi kampionat interesant, edhe sepse skuadrat e vogla sivjet po rrezikojnë më shumë dhe kjo i bën mirë spektaklit.

Ndërkohë Napoli po bën një kampionat më vete…

Një sprint i shkëlqyer. Lojë spektakolare, falë së cilës bëjnë të lehta edhe gjërat e vështira. Meritë e Spaletit pa dyshim, por edhe e politikës së klubit, që ka rinuar ndjeshëm grupin e futbollistëve. Më shumë hapësirë për të rinjtë mendoj se duhet ta bënim edhe skuadrat e tjera, por në të njëjtën kohë t’i japim më tepër hapësirë italianëve, duke parë mësymjen e të huajve.

Këtë po e vuan edhe kombëtarja…

Unë mbetem optimist për Italinë, ndonëse duhet punuar fort gjithmonë. Nevojiten norma për të vlerësuar talentet tona. Cilësia duhet kultivuar.

Mançini është në rrugën e duhur?

Ka fituar Europianin me idenë e dopioorganizatorit dhe është e drejtë që të vazhdojë kështu, duke i dhënë hapësirë gjithmonë atij që është më në formë. Alternativat nuk mungojnë.

Ndërkohë, Mançini zbuloi edhe Reteguin…

E ka nisur mirë. Por nuk besoj në një krizë për sa i përket mungesës së “pykës”. Skamaka, Raspadori dhe Imobile mund të thonë fjalën e tyre. Madje, unë kam bindjen se do të vijë një moment në të cilin nuk do të dimë se cilin prej tyre të lëmë në stol.

Duke parë Napolin, kë zgjidhni si më të fortin?

Osimhen e Kvara janë protagonistë absolutë, por edhe Lobotka është fenomenal, madje është regjisori më i mirë i Serisë A për mua.

Me përjashtim të Modriçit, kush ju pëlqen më shumë në rolin tuaj?

Ka ndryshuar shumë mënyra e të luajturit. Mua më pëlqen shumë De Jong i Barcelonës, është fenomenal.

Po mes italianëve?

Lokateli po rritet. Ndonëse hapin më të madh e ka bërë Faxholi, i cili ka debutuar me mua.

Pra, mund të jetë ai “Pirlo i ri”?

Faxholi di të bëjë gjithçka dhe jo më kot është shndërruar shumë shpejt në një pikë fikse të Juves. Ka dhunti për të shkëlqyer në regji. Po, mund të jetë ai Pirlo i ri, por më mirë sikur të mbahet mend si Faxholi…

Për Juven, ky sezon është më shumë sesa i lëkundur, si mendoni?

Gjithsesi grupi i lojtarëve mbetet shumë i fortë, ndonëse Alegri ka paguar dëmtimet e shumta dhe të gjata të lojtarëve të rëndësishëm. Distanca në renditje nga Napoli nuk reflekton diferencën e vërtetë të vlerave mes dy skuadrave.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Juventusin, pas divorcit?

Të mira. Dëgjoj ende shumë prej drejtuesve që kanë mbetur dhe madje jam takuar edhe me Andrea Anjelin. Mes nesh mbetet vlerësimi reciprok, por është gjë tjetër që programet kanë ndryshuar.

Do të ktheheshit?

Patjetër që po. Nëse të thërret një klub madhështor si Juventusi…

Pra, nuk ju ka mbetur asnjë peng pas divorcit?

Në futboll vendosin rezultatet!

Mes dy eksperiencave, keni ndryshuar diçka në idenë tuaj të lojës?

Shikoni, le të themi që po informohem çdo ditë. Gjithsesi, i qëndroj besnik 4-3-3 dhe mbi të gjitha kërkoj gjithmonë kundërmasa për çdo rast kur kërkojnë që të mos na lënë të marrim frymë dhe të mos kemi mundësinë që të hyjmë në duele një kundër një.

Te kush frymëzoheni realisht?

Kam punuar me më të mirët dhe kam mësuar nga të gjithë. Arsyetoj, por me kokën time bëj një përmbledhje të të gjitha dijeve që kam marrë nga secili prej trajnerëve të mi.

Pra, kush është numri një sipas jush?

Ançeloti, për dhuntitë humane e teknike ka grumbulluar më shumë fitore se të gjithë dhe në çdo kampionat që ka shkuar.

Po si mund ta cilësoj vetëm atë, përpara Lipit, Kontes apo Alegrit?!

Mes dy emrave të fundit kë preferoni më shumë? Konte dhe Alegri janë të ndryshëm, por i bashkon fakti që luan bukur apo jo, në fund komandon ai që fiton dhe ndoshta kanë të drejtë.

Jeni pragmatik, apo është më mirë ideologjiku Guardiola?

Pep është unik, adhuron gjithmonë që të rinovojë idetë e tij. Gjithsesi, futbolli sa po vjen e po bëhet më fizik, ndaj duhet të përshtatesh në gjithçka.

Shpërthimi i skuadrave italiane në Champions, ju ka habitur?

Prej vitesh emigrojnë yjet, por kampionati italian mbetet kompetitiv. Tri skuadra të Serisë A në çerekfinalet e Champions-it, pas shumë vitesh, nuk janë një rastësi.

Luhet Napoli-Milan për një vend në gjysmëfinale, çfarë parashikoni?

Në Champions, nga çerekfinalet e në vazhdim mund të ndodhë çdo gjë. Napoli ka bërë mirë në gjithçka deri tani, por kur nis muzika e Championsit dhe i kalon pranë kupës me veshët e mëdhenj, shumë situata mund të përmbysen, kur bëhet fjalë për Milanin.

Dhe ju jeni dëshmitar i kësaj, më shumë se kushdo tjetër…

Sigurisht, pasi në 10 vitet e mia aty, Milani kishte një mentalitet unik në Europë. Dhe ajo shkëndijë ekziston edhe sot në ambientin kuqezi. Mund të ndryshojnë lojtarët, por ADN-në e klubit se ndryshon askush. Klubi së fundmi ka bërë një punë të rëndësishme, me rezultate fantastike, edhe mbi planin e menaxhimit. Pastaj Maldini ka bërë të gjithë pjesën tjetër.

Nostalgji milaniste kjo?

Shiko, Karagymryku luan me ngjyrat kuqezi dhe shpresoj që të më sjellë të njëjtin fat si Milani. Tani duhet të impenjohem që të meritoj thirrjen nga ndonjë skuadër kryesuese, ndonëse për momentin i gjithë fokusi im është në klubin tim.

Çfarë ka mbetur nga vogëlushi internist brenda jush?

Bluzat dhe pasioni për Lotar Mateusin. Gjithsesi, si profesionist, tani bëj tifozllëk vetëm për skuadrat, për të cilat punoj.

Po për Benfika-Inter çfarë na thoni?

Portugezët janë surpriza e sezonit. Duhen kapur me pinca, nëse kërkon të kalosh kundër tyre. Trajneri Shmidt ka aplikuar një lojë dinamike dhe brilante, por Simone Inzagi është një trajner i nivelit të parë dhe mund të fitojë kundër kujtdo.

Pra, si përfundim kush kalon?

Vlen koncepti që shpresa për Milan-Napoli. Fiton ai që do të dijë të interpretojë më mirë pjesën europiane. Dhe Interi është ekspert në këtë fushë. Nëse gjithçka shkon lisho, do të kemi një italiane në finale. Dhe ndoshta mund të synojmë edhe për të ngritur kupën në fund. Unë jam nga ata që nuk i kam vënë vetes kurrë limite.

Exit mobile version