Site icon

Pandemia rriti rastet e dhunës tek fëmijët

Pandemia e koronavirusit ka rritur varfërinë e fëmijëve dhe ulur cilësinë e arsimit, ndërkohë që një shqetësim i rritur mbeten rastet e dhunës. Vetëm në Bashkinë e Gjirokastrës janë menaxhuar këtë vit 31 raste të fëmijëve në mbrojtje ku denoncimet kanë nisur të vijnë edhe nga zonat rurale. Shqipëria ka përmirësuar kohët e fundit legjislacionin për mbrojtjen e fëmijëve pas incidenteve të rënda të krimit dhe dhunës ndaj fëmijëve.

Pak kohë më parë siluetat e vendosura nga Organizata Botërore e Fëmijëve UNICEF në Qendrën Historike të Gjirokastrës mbartnin sejcila nga një mesazh: atë të viktimavë të dhunës ndaj fëmijëve.

Vetëm për vitin 2021, Bashkia e Gjirokastrës ka menaxhuar 31 fëmijë në nevojë për mbrojtje, tre prej të cilëve raste të dhunës dhe 4 raste me fëmijë të larguar nga familja.

Në Qarkun e Gjirokastrës që përfshin edhe Tepelenën dhe Përmetin nuk kanë munguar këtë vit edhe incidentet e rënda me persona të akuzuar për ngacmime dhe dhunë seksuale ndaj fëmijëve.

Drejtoresha e Shërbimeve Sociale dhe Shëndetësore në Bashkinë e Gjiroakstrës, Albana Allushi thotë se në dy raste të kohëve të fundit policia ka arrestuar bashkëjetuesit dhunues të fëmijëve, ndërsa 10 raste të tjera janë ndjekur në qendrën e posaçme kundër dhunës që funksionon në këtë bashki.

Sipas të dhënave zyrtare pandemia e koronavirusit ka rritur varfërinë e fëmijëve dhe ulur cilësinë e arsimit ndërkohë që në Shqipëri statistikat e kësaj periudhe flasin edhe për rritjen e rasteve të dhunën në familje.

Zonja Allushi thotë se shumica e rasteve të fëmijëve të dhunuar evidentohen pikërisht në këto familje.

“Ka ardhur në rritje numri i denoncimeve dhe ajo që evidentohet është numri i lartë i denoncimeve që vijnë edhe nga zonat rurale. Duke iu referuar përbërjes së rasteve ajo që shihet është se ato evidentohen në familje me nivel të ulët ekonomik dhe arsimor”, thotë ajo.

Ndërsa Diana Haxhiaj, koordinatore e sektorit kundër dhunës në Policinë e Gjirokastrës thotë se në bashkëpunim me njësitë arsimore policia po i ndërgjegjëson si fëmijët edhe shtresat e tjera të popullsisë për denoncimin e rasteve.

“Këto aktivitete janë shtrirë kryesisht në grupmoshat në shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme të të gjithë Qarkut të Gjirokastrës. Për hir të së vërtetës dhuna ka qenë prezente edhe më përpara por për shkak të ndjeshmërisë, për shkak të turpit që mbartin vetë disa vepra penale, për shkak të frikës, rastet nuk janë denoncuar. Për këtë Policia e Shtetit organizon herë pas here aktivitete ndërgjegjësuese bashkëlidhur gjithë aktorëve të tjerë si arsimi, qeverisja vendore dhe vetë prindërit për t`u njohur me ndryshimet dhe për të parë interesin më të lartë të fëmijës, sepse kjo është pasqyruar dhe tek këto ndryshimet e fundit ligjore”, thotë Diana Haxhiaj.

Exit mobile version