Site icon

Parfume, rroba por jo armë/ Çfarë u gjet brenda strehës së bosit mafioz italian: Si u “kap mat” nga karabinierët në spital

Brenda pak orësh nga arrestimi i bosit të mafies siçiliane, karabinierët e del Ros dhe prokuroria e Palermos kanë identifikuar strehën ku fshihej Matteo Messina Denaro.

Ai u prangos më 16 janar në klinikën Maddalena në Palermo. Streha ku fshihej prej vitesh bosi mafioz, ndodhet në Campobello di Mazara, në zonën e Trapanit, qyteti i bashkëpunëtorit të tij, Giovanni Luppino, i cili përfundoi në pranga bashkë me bosin e mafies.

Vendi i fshehjes, sipas asaj që raportojnë mediat italiane, është vetëm pak kilometra larg qytetit të origjinës së bosit mafioz.

Brenda kësaj strehe, për momentin, janë gjetur sende luksoze, rroba dhe parfume të shtrenjta, por jo armë.

Në kontroll ka marrë pjesë personalisht zv/prokurori Paolo Guido, i cili prej vitesh po heton kumbarin e Cosa Nostra.

Messina Denaro u dërgua mbrëmë me një avion ushtarak në aeroportin e Peskarës.

Mësohet se bosi po mbahet në burgun e L’Aquila pasi është një institucion i sigurisë maksimale.

Nuk përjashtohet që bosi të jetë mbajtur diku tjetër gjatë natës, qoftë në kazermë apo në burgje të ndryshme të zonës.

Matteo Messina Denaro u arrestua pas 30 vitesh në arrati. Hetimi që çoi në arrestimin e bosit të mafias u koordinua nga prokurori i Palermos, Maurizio de Lucia dhe zëvendësprokurori Paolo Guido.

Messina Denaro u gjet falë të njëjtës strategji që çoi në arrestimin e bosit Bernardo Provenzano. Ishin familjarët e bosit në “kthetrat” e hetuesve që në fund bënë gabimin fatal.

Duke biseduar me njëri-tjetrin, edhe pse e dinin se po përgjoheshin, përmendën sëmundjet e bosit të mafias. Hetimi nisi prej andej. Dhe duke hetuar të dhënat nga platforma e Ministrisë së Shëndetësisë që ruan informacione për pacientët me kancer, u bë e mundur të hartohej një listë e pacientëve të dyshuar.

Një emër i bëri hetuesit të dyshonin: Andrea Bonafede, një i afërm i një bashkëpunëtori të vjetër të shefit.

Një vit më parë ai do t’i nënshtrohej një operacioni në mëlçi në La Maddalena. Por në ditën që supozohej të ishte në operacion, magjistratët zbuluan se Bonafede ishte në shtëpinë e tij në Campobello di Mazara.

Dhe më pas u forcua dyshimi se i arratisuri përdorte identitetin e një tjetri. Rezervimi i një seance kimioterapie në emër të Bonafede nxiti operacionin policor.

Exit mobile version