Federiko Dimarko po jeton ëndrrën e tij, pasi është duke përfaqësuar klubin e zemrës në kompeticionin më të madh për klube. Mbrojtësi i majtë i Interit po gjen gjithmonë e më shumë hapësira në formacion edhe pse sot konkurrenca me Gosensin për një fanellë titullari do të jetë më e ashpër se asnjëherë. Pavarësisht kësaj, Dimarko ka rrëfyer për “Amazon Prime Video”, emocionet e zikaltërve në momentin që kanë njohur rivalët e grupit, pa lënë mënjanë ato të përballjes me Barcelonën.
BARÇA – “Inter-Barcelona e fundit që mbaj mend ishte ajo e vitit 2010, kur isha në “San Siro”, por ta jetoja në fushë ishin emocione tërësisht të ndryshme. Pastaj në ndeshjen e parë arritëm të fitonim falë një ndërrimi loje që nisi nga këmbët e mia dhe u lumturova shumë kur Çalhanoglu shënoi atë gol. Në ndeshjen e dytë, edhe kur ishim në disavantazh 1-0, arritëm të reagonim edhe pse nëse do të na kishte ndodhur në një moment tjetër të sezonit, rrezikonim të humbnim toruan. Në pushim trajneri mbajti një fjalim dhe ne në pjesën e dytë arritëm të shkonim 1-2. Gabimi i Asllanit në fund? Asnjëherë nuk i duhet drejtuar gishti dikujt, pasi të gjithë bëjnë gabime, e rëndësishme është të rikthehesh gjithmonë më i fortë për të ndihmuar skuadrën”.
MOMENTI I SHORTIT – “Ne në fakt ishim në avion, duke udhëtuar drejt Romës për transfertën me Lacion kur morëm vesh shortin e Champions League. Do t’ju them të vërtetën, shumica e djemve ishin të lumtur, përballja me Barcelonën dhe Bajernin është gjithmonë gjë e bukur. Kundër gjermanëve ishim në një moment të vështirë dhe një disfatë nuk është asnjëherë e lehtë të rikuperohet, por pastaj fituam me Plzenin dhe fitorja në shtëpi ndaj Barcelonës na dha një shtytje të gjithëve si skuadër për të arritur edhe barazimin në “Camp Nou”.
HIMNI DHE TIFOZËRIA – “Sytë poshtë te himni i Championsit? Gjatë asaj kohe mendoj vetëm për të dhënë maksimumin tim për skuadrën dhe për tifozët, duke marrë parasysh edhe faktin që çdo ndeshje është shumë e rëndësishme. Pastaj unë jam edhe tifoz dhe fanellën e ndiej si lëkurën time të dytë, nuk mund t’ua shpjegoj dot me fjalë”.
PLZENI – “Për ne është si një finale, luajmë kualifikimin dhe duhet të jemi shumë të qetë për të arritur një objektiv që pas shortit kishte që e quajtën të pamundur”.

