Mediat italiane kanë zbuluar detaje të tjera nga aktiviteti i bosit shqiptar të drogës në Itali, grupi i të cilit u shkatërrua nga policia gjatë fillimit të këtij viti. Policitë e vendeve të BE-së kanë në duar të dhënat e rreth 170 000 përdoruesve të rrjetit të koduar të telefonatave “Sky Etc”, mes të cilëve është edhe Elvis Demçe, i njohur edhe si “Zoti i Romës” bashkë me ushtarët e tij.
Mediat përtej Adriatikut kanë publikuar sot disa nga përgjimet që ka në duar prokuroria italiane. Në disa prej tyre, Demçe bën plan se si të vrarë policë dhe prokurorë që janë duke hetuar aktivitetin e tyre kriminal.
“Nëse dikush di ku e kanë shtëpinë këta bij k… të na thotë dhe çojmë dikë atjë që t’i terrorizojë”, është një nga frazat e bosit shqiptar të drogës që prokuroria italiane ka në duar. Madje, kjo e fundit thekson në dosje se shqiptarët e kishin gati planin për të vrarë edhe gjyqtarët Francesco dhe Giuseppe Cascini, të cilët kishin filluar “t’u vinin shkopinj nën rrota”. Por, thekson prokuroria, pavarësisht se plani ishte gati, mungoi vetëm finalizimi i tij.

