Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç deklaroi se agresioni rus kundër Ukrainës ka pasoja të forta në Ballkanin Perëndimor.
Gjukanoviç u shpreh se që nga viti 2014, Rusia ka ndryshuar kursin e saj për perspektivën e Ballkanit Perëndimor dhe po përpiqet të ndikojë në vendet e rajonit që të zgjedhin një të ardhme tjetër, në vend të asaj evropiane, shkruan Vijesti.
“Askush nga ne nuk ka iluzione se Rusia do të heqë dorë nga synimet e saj, përkundrazi, ajo do të rrisë shkatërrimin dhe do të zgjerojë repertorin e saj të luftës hibride,” tha Gjukanoviç, i cili ishte i ftuar i Institutit për Paqe në një panel mbi sigurinë në Evropë.
Sipas tij, situata në Ballkan sot, është më e keqe se gjashtë apo shtatë vjet më parë, ku theksoi se Serbia po përpiqet që të sundojë disa vende të rajonit.

