Site icon

Presion, kompaktësi dhe mentalitet, ja si Inzagi e ndryshoi Interin

Puna e madhe e Simone Inzagit dhe stafit të tij kanë lejuar që një grup i ndryshuar shumë nga merkatoja të fillojë fuqishëm. Për momentin nuk ka asnjë gjurmë nga gabimet që rënduan skuadrën në garën për titull vitin e kaluar.

Vesi i golit i Lautaro Martinezit, fillimi i shkëlqyer i Turamit, besueshmëria e fazës mbrojtëse, ndërgjegjësimi për aftësitë e veteranëve të finales së Champions League dhe dëshira e lojtarëve të rinj për të provuar se janë të denjë për Interin i kanë bërë zikaltrit pretendentët kryesorë për titullin dhe i kanë lejuar të presin komodë derbin e 16 shtatorit.

PRESION DHE KOMPAKTËSI – Goli i parë ndaj Fiorentinës ka lindur nga presioni i lartë dhe rikuperimi i topit në një zonë të rrezikshme, një armë që zikaltrit do ta përdorin më shumë këtë vit. Interi do të përpiqet të mos lejojë rinisjen e kundërshtarëve në rast të humbjes së topit. Fjalëkalimi do të mbetet “kompaktësia” ndaj formacioneve që do të rreshtojnë një mesfushor sulmues dhe do të kërkojnë depërtimin në qendër. Inzagi do t’u ndalojë të tijve të lejojnë hapësira mes linjave, për t’i detyruar të jenë gjithmonë “të ngushtë”.

DUMFRIS SULMUES I TRETË – Krahasuar me vitin e kaluar, anësorët kanë luajtur deri tani një rol edhe më vendimtar dhe si Dimarko ashtu edhe Dumfris kanë qenë protagonistë. Deri tani Interi ka ndërtuar më pak nga poshtë dhe ka dribluar më pak horizontalisht se sezonin e kaluar, edhe sepse në portë nuk është më Onana, i aftë me topat e tij të gjatë dhe katalizatori Brozoviç që tërhiqej për topin. Çalha e përdor më shumë topin dhe në rast presioni nga kundërshtarët, Zomer shpesh kërkon Turamin, i cili tërhiqet në mesfushë dhe lejon Dumfrisin të sulmojë në krah, pothuajse si një sulmues i jashtëm në një 3-4-3. Të shohësh Denzelin protagonist në fazën sulmuese, në stilin “Hakimi”, është një shenjë e mirë dhe rrit rrezikun. Dimarko gjithashtu vazhdon të konfirmojë atë që ka treguar në vitin e shkuar dhe që askush nuk e kishte vendosur në pikëpyetje.

DYSHJA E GOLIT – Lautaro është golashënuesi më i mirë i kampionatit, me 5 gola në 3 ndeshje. Turam ka gjetur po ashtu golin, por tashmë ka kuptuar edhe atë që kërkon Inzagi prej tij dhe po e vë në praktikë shumë mirë: rikthehet në mesfushë, ndihmon skuadrën të dalë nga presioni duke qenë pikë referimi, lidh mirë lojën dhe nxit shokët e skuadrës. Pak si ajo që ndodhi në dy sezonet e fundit, kur Xheko ishte në fushë.

CILËSIA NË NDRYSHIME – Në fund janë zëvendësimet. Ekipi i përdorur në tri javët e para është i njëjti dhe krahasuar me sezonin e shkuar ka vetëm dy fytyra të reja: Zomer dhe Turam. Pak krahasuar me 13 blerjet që janë kryer. Interi ka një forcë dhe një cilësi që vjen nga bankina, të cilën nuk e kishte më parë. Pakkush mund të llogarisë, me ndeshjen në zhvillim, ndikimin e Fratezit, Karlos Augustos, Kuadrados, por edhe të sulmuesve Arnautoviçit dhe Sançezit, të Klasenit dhe mbi të gjitha të Pavarit, të destinuar herët a vonë për të marrë një fanellë në formacionin titullar. Është kampion bote, i mësuar me skenat e mëdha.

Exit mobile version