Site icon

Pulisiç më pranë me ofertën e re të Milanit, Morata ul rrogën vetëm për “djallin”

Milani ka shtuar pre sionin për Kristian Pulisiçin. Kuqezinjtë e duan shumë amerikanin polivalent dhe në orët e fundit kanë intensifikuar më tej kontaktet me Çelsin. Madje duke bërë një hap përpara, duke qenë se administratori Furlani ka vënë në pjatë një ofertë të re për të marrë në shtëpi fantazistin.

Pikërisht ky propozim i dytë, që shkon në rreth 22 milionë euro (18+4), duket si një shifër shumë më e lartë se ajo e ditëve të fundit, e mbërthyer në 14 milionë dhe normalisht i shton shanset për një përgjigje pozitive. Britanikët janë afër ta pranojnë, pavarësisht pretendimeve të tyre për 25 milionë. Monkada dhe Furlani mbështeten shumë në vullnetin e lojtarit, i cili prej disa kohësh ka një marrëveshje me “djallin” në bazën e një rrogë prej 4 milionë eurosh. Nuk është rastësi që Lion, i cili pak ditë më parë u dërgoi londinezëve një propozim me shkrim prej 25 milionë eurosh, mbetet një zgjidhje e dorës së dytë për ish-lojtarin e Dortmundit. Pulisiç do të ishte një përforcim i parë në peshë për departamentin e avancuar të Piolit, i cili kërkon sa më shumë lojtarë për të në ditën e grumbullimit.

EDHE MORATA? – Përveç një lojtari me cilësitë e Pulisiçit, kuqezinjve u nevojitet një bomber. Thuajse 37 vitet e Zhirusë kanë nisur të ndjehen, pavarësisht se francezi nuk mund të qortohet. Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e “djallit” kanë piketuar Alvaro Moratën. Ai është nga ata sulmues që prej një dekade garanton 10-15 gola në sezon, teksa edhe paga e tij nuk duket më problem. Ai merr tek Atletiko e Madridit 6.5 milionë euro, por në rast zbarkimi në Milano do të pranonte që të paguhej edhe 1.5 milionë euro më pak. Taktikisht do të ishte i duhuri, sepse di të luajë si “pykë”, por edhe me shokët duke vepruar si regjisor ofensiv. Shtysa tjetër, e aspak për t’u nënvlerësuar, është bashkëshortja e tij Aliçe. Ajo është italiane dhe shtyn për një rikthim në Itali, e pikërisht në Milano, ku ka lindur edhe një nga katër fëmijët e çiftit. Me Atletikon do të duhet dialog. Pas rinovimit të 30-vjeçarit, klauzola e tij ka prekur 20 milionë euro, një shifër që Milani synon ta ulë të paktën deri në 12-15 milionë euro.

MANOVRAT E TJERA – Bulaje Dia vijon të jetë i monitoruar, por me Salernitanën duhet gjetur një zgjidhje, pasi “djalli” nuk ka në plan të paguajë 25 milionë eurot e klauzolës. Situatë e ngjashme edhe për Samuel Çukvuezen. Vijarreali pret të arkëtojë 30 milionë euro, teksa jo më larg se dje revista angleze “The Athletic” raportonte se kuqezinjtë kishin nisur drejt Spanjës një ofertë prej 25 milionë eurosh, e cila nuk gjen konfirmim në fjalët e presidentit të klubit, i cili pranoi se nuk ka pasur kontakte për Çukvuezen me kuqezinjtë. Këta të fundit presin përgjigje pozitive edhe nga Alkmari për Reijnders, por zhvillimet priten në fillimin e javës së re.

Exit mobile version