Ka ende kaos rreth Rafael Leaos dhe zgjatjes së kontratës së tij me Milanin.
Të martën, Ted Dimvula, avokati që ka zgjedhur babai i futbollistit këmbënguli që kuqezinjtë duhet të bisedojnë me të dhe të injorojnë Zhorzh Mendeshin.
Ky i fundit njihet për fuqinë e tij në merkato dhe mund të ndikojë ndjeshëm të ardhmen e sulmuesit të Milanit.
Klubi i ofron 6-7 milionë euro për të rinovuar deri në 2027- tën kontratën që i skadon në vitin 2024.
Mësohet se Mendesh dhe Dimvula nuk janë në marrëdhënie të mira dhe shpesh kanë pikëpamje të ndryshme për të ardhmen e Leaos, i cili ka kohë që merr oferta për rroga mbi 10 milionë euro në sezon nga ekipe të ndryshme me Çelsin në krye.
Drejtuesit e Milanit shpresojnë të arrijnë një marrëveshje përpara fillimit të Kupës së Botës, duke e ditur se paraqitjet e shkëlqyera në Katar do të rrisnin kërkesat për pagë të Leaos.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, takimi i së martës e pa Milanin pranë një marrëveshjeje me Leaon, ndërsa “Sky Sport” pohon se negociatat “do të jenë të vështira dhe të gjata”.

