Site icon

Rrjedhja gazit në Nord Stream, Ursula von der Leyen: Është sabotim

BE-ja ka thënë se rrjedhjet në dy tubacionet kryesore të gazit nga Rusia në Evropë ishin sabotazh, por nuk e akuzuan drejtpërdrejt Rusinë.

Ndërprerja e qëllimshme do të rezultojë me “përgjigjen më të fortë të mundshme”, tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ukraina shkoi më tej, duke akuzuar Rusinë për një “sulm terrorist”. BE-ja ka akuzuar më parë Rusinë për përdorimin e furnizimeve me gaz dhe linjën Nord Stream, si një armë kundër Perëndimit.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se ai mendonte se rrjedhjet “nuk do të kishin një ndikim të rëndësishëm në elasticitetin energjetik të Evropës”.

Asnjë tubacion nuk po transporton gaz për momentin, megjithëse të dy përmbajnë gaz.

Blinken nuk e akuzoi drejtpërdrejt Rusinë, por tha se nuk do të ishte në “interesin e askujt” nëse ato shkaktoheshin qëllimisht.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i bëri jehonë mesazhit të Von der Leyen.

“Aktet e sabotimit të Nord Stream duket se janë një përpjekje për të destabilizuar më tej furnizimin me energji në BE”, shkroi ai në Tëitter.

Operatorët e Nord Stream 2 paralajmëruan për një humbje të presionit në gazsjellës të hënën pasdite.

Kjo bëri që autoritetet daneze të deklaronin se anijet duhet të shmangin zonën pranë ishullit Bornholm. Më pas të martën, operatori i Nord Stream 1 tha se linjat nënujore kishin pësuar njëkohësisht dëmtime “të paprecedentë” brenda një dite.

Gazsjellësi Nord Stream 1, i cili përbëhet nga dy degë paralele, nuk ka transportuar gaz që nga gushti kur Rusia e mbylli atë.

Nord Stream 1 shtrihet 1200 km nën Detin Baltik nga bregu rus pranë Shën Petersburgut deri në Gjermaninë verilindore. Tubacioni i tij binjak, Nord Stream 2, u ndërpre pasi Rusia pushtoi Ukrainën.

Një zëdhënës i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ishte “jashtëzakonisht i shqetësuar” për rrjedhjet, duke shtuar se mundësia e një sulmi të qëllimshëm nuk mund të përjashtohej.

Sizmologët raportuan shpërthime nënujore përpara se të shfaqeshin rrjedhjet. Komanda e Mbrojtjes e Danimarkës ka publikuar pamjet e rrjedhjeve që tregojnë flluska, më e madhja është 1 km në diametër, në sipërfaqen e Detit Baltik.

Nuk ka dyshim se këto ishin shpërthime,” tha Bjorn Lund, i Qendrës Kombëtare të Sizmologjisë të Suedisë.

Të martën, këshilltari presidencial i Ukrainës, Mikhaylo Podolyak tha se rrjedhja e gazit nuk ishte “asgjë më shumë se një sulm terrorist i planifikuar nga Rusia dhe një akt agresioni ndaj BE-së”.

Operatorët e tubacionit thanë se ishte e pamundur të vlerësohej se kur do të rikthehej infrastruktura e sistemit.

 

Exit mobile version