Site icon

Rusia e akuzoi se po përgatit pajisje radioaktive, Kievi kërkesë OKB-së për të kryer verifikime! Kush janë dy vendet e inspektuara dhe çfarë u gjet

Mbikëqyrja bërthamore e OKB-së, IAEA ka deklaruar se inspektorët e saj kanë vizituar rregullisht dy vende në Ukrainë, mes pretendimeve ruse se Kievi po përgatit pajisje radioaktive.

Inspektorët do të kthehen në ditët në vijim pas një kërkese nga Ukraina, tha drejtori i përgjithshëm Rafael Grossi.

Rusia nuk ka ofruar asnjë provë për pretendimet e saj, të cilat NATO i hedh poshtë.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky paralajmëroi se kjo nënkuptonte se vetë Rusia mund të përgatiste një sulm të këtij lloji.

Këto bomba përmbajnë material radioaktiv, si uraniumi, i cili shpërndahet në ajër kur shpërthen eksplozivi i tij.

Ata s’kanë nevojë të përmbajnë material radioaktiv shumë të rafinuar, siç përdoret në një bombë bërthamore, gjë që i bën më të lira dhe më të lehta për t’u manovruar.

IAEA [Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike] tha se kishte marrë një ftesë nga qeveria ukrainase për të kryer “aktivitete verifikimi” në dy vende të paspecifikuara, duke shtuar se inspektorët e agjencisë i kanë vizituar të dy vendet rregullisht.

Grossi tha se IAEA “inspektoi një nga këto vende një muaj më parë dhe të gjitha gjetjet tona ishin në përputhje me deklaratat e Ukrainës”.

“Aty nuk u gjet asnjë aktivitet apo material bërthamor i padeklaruar”, tha ai.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA Novosti, tha se kishte identifikuar dy vende, Uzinën Lindore të Pasurimit të Mineraleve në rajonin qendror të Dnipropetrovsk dhe Institutin për Kërkime Bërthamore në Kiev, si vendndodhje qendrore për operacionin e supozuar të Ukrainës.

Moska pritet të përsërisë akuzat e saj gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën. Në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, përfaqësuesi rus në këshill, Vassily Nebenzia, tha se vendi i tij “do ta konsideronte përdorimin e pajisjeve radioaktive nga regjimi i Kievit si një akt terrorizmi bërthamor”.

“Ministria jonë e Mbrojtjes ka marrë gjithashtu informacion se ky provokim mund të kryhet me mbështetjen e vendeve perëndimore”, shkruante Nebenzia në letrën e tij.

Pretendimet e Moskës, të bëra nga ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, janë hedhur poshtë nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë.

Në një deklaratë të përbashkët të hënën, ministrat e jashtëm të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës i konsideruan pretendimet si të rreme dhe thanë se “bota do të shikonte çdo përpjekje për të përdorur këtë pretendim si pretekst për përshkallëzimin”.

Exit mobile version