Site icon

Saka në listën e Anglisë kundër Italisë, Sauthgejt: Ka kohë për rikuperimin, jam kundër… VAR-it

Sulmuesi i Arsenalit, Bukajo Saka, është përfshirë në skuadrën e Anglisë për ndeshjet e tetorit kundër Australisë dhe Italisë, pavarësisht shqetësimeve se u lëndua në ndeshjen kundër Lensit në Champions.

Ndërsa Rahim Sterling, është anashkaluar sërish nga trajneri i Anglisë, Garet Sauthgejt, për ndeshjen kualifikuese të “Euro 2024” kundër Italisë më vonë këtë muaj. Sauthgejt tha se sulmuesi i Çelsit nuk ishte i lumtur që u la jashtë grumbullimit të fundit në shtator, por ai nuk do të luajë asnjë rol as në kualifikuesen e “Euro 2024” kundër Italisë ose në miqësoren kundër Australisë.

“Saka është duke u monitoruar. Arsenali ka një ndeshje të madhe këtë fundjavë (kundër Mançester Sitit) dhe pastaj janë edhe 7 ditë të tjera përpara se të luajmë kundër Australisë dhe 10 ditë përpara Italisë”, tha trajneri në konferencë.

Ai u ndal të komentonte edhe skandalin e fundit me VAR në Premier Ligë, ku një keqkuptim mes arbitrave i mohoi një gol të rregullt Luis Diazit.

Në fakt ai tha se nuk ka qenë kurrë një partizan i teknologjisë, ndërsa më mirë do të preferonte një gabim të arbitrit në fushë: “Në eksperiencën time të parë me VAR-in (Anglia pa një gol të dyshimtë të anuluar Xhesi Lingardit në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve kundër Holandës në 2019) ne nuk jemi ende të sigurt nëse goli i Xhesit që na kushtoi eliminimin nga gjysmëfinalja ishte i rregullt ose jo.

Mua nuk më pëlqen VAR-i. Mendoj se ne duhet të pranojmë vendimet e arbitrave, por unë jam i vetëdijshëm gjithashtu se nuk mund të kthehemi pas në një botë ku ne nuk kemi teknologji si pjesë të procesit të vendimmarrjes. Kur ju thoni që keni qenë një mbështetës i teknologjisë, unë po iu them që unë kam qenë kundër saj”.

Exit mobile version