Site icon

Saki analizon përballjen Napoli-Milan: Në kampionat pashë dy ekipe mediokre, uroj që në Champions të fitojë spektakli

Një ndeshje që vlen sa një sezon ajo e sotmja mes Napolit dhe Milanit, e vlefshme për sfidën e kthimit në Champions, pasi takimi i parë u mbyll me fitoren 1-0 të ekipit të Piolit. Analizën e sfidës e ka marrë përsipër Arrigo Saki në një intervistë ekskluzive për “La Gazzetta dello Sport”.

Kaq të domosdoshme janë rrotacionet pas një ndeshjeje Champions-i?

Ndeshjet në Europë marrin shumë energji psiko-fizike, sepse zgjasin 5-6 ditë e jo thjesht 90 minuta. Tensioni, stresi bëjnë që zgjedhjet e trajnerit në ndeshjet pasardhëse të jenë të justifikueshme. Milani në Bolonjë mund të kishte fituar, pavarësisht se paraqitja ishte mediokre, ndërkohë që Bolonja m’u duk skuadër cilësore.

Po në kohën tuaj kaq masive ishin ndryshimet?

Unë kisha 18 lojtarë dhe disa djem nga ekipi i të rinjve. Edhe ne luanim tri herë në javë dhe kurrë nuk e mbanim dot nivelin në maksimum. E vërteta është që një ekip ka nevojë për 5-6 ditë rikuperim pas një ndeshjeje. Duke luajtur kaq shpesh është normale që ta pasojë cilësia, sepse ekipi nuk ka kohë për stërvitje.

A është ky sinjal që rezervat nuk janë në lartësinë e titullarëve?

De Ketelare nuk bën asgjë cilësore, ndërkohë edhe Origi nuk u vu re për asgjë. Edhe Rebiçi nuk ishte më mirë, pavarësisht se bëri më shumë se dy të tjerët. U deshën Leao e Diazi për të ndryshuar ekipin.

Napoli ndryshoi më pak, por në Veronë nuk mori më shumë se një pikë…

Djemtë e Spaletit kanë humbur kthjelltësinë, por është e kuptueshme pasi kanë 7 muaj që dominojnë. Pastaj të mos harrojmë se lojtarë si Raspadori janë frenuar në momentin më të mirë nga dëmtimet, e po ashtu Politano. Edhe Lozano nuk luajti mirë në Veronë, por sidoqoftë për renditjen e Napolit edhe një pikë mirë ishte.

Sa vlen rikuperimi i Osimhenit në kuadër të Champions-it?

Shumë, sepse ai ka rëndësi për ekipin për shkak të lëvizjeve dhe goditjeve. Edhe në Veronë ndryshoi skuadrën e për pak sa nuk shënoi. Ai i tremb rivalët, por mua më shqetëson Kvaratskhelia që prej disa javësh e ka ulur nivelin. E kuptoj edhe rastin e tij, pasi ka shkëlqyer në shumicën e sezonit, por edhe mbrojtësit kanë mësuar ta njohin.

Çfarë sfide prisni në Napoli-Milan?

Vështirë për të bërë parashikime. Mungesa të rënda. Por e kompensuar nga prania e Osimhenit. Nëse ai do të luajë, Napoli do të ecë me ritmin e tij të zakonshëm, mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e hapur. Për mendimin tim, për të arritur gjysmëfinalen, Napoli do të duhet të bëjë një ndeshje të madhe, sepse shumë lojtarë nuk janë në nivelin e formës që ishin disa kohë më parë.

Çfarë duhet të bëjnë Milani dhe Napoli për të fituar sot?

Milani që vuajti në “San Siro” ndaj Napolit. Dhe në fakt, edhe kuqezinjtë nuk duhet të jenë aq të qetë. Në përgjithësi më duket se si Milani ashtu edhe Napoli janë pak të lodhur nga kaq shumë angazhime. Paraqitjet e tyre në kampionat, të dyja mediokre, e dëshmojnë këtë. Nëse Napoli ushtron presion lart, do të jetë problem, por në atë rast djemtë e Piolit do të duhet të jenë të zotë në largimin nga markimet dhe të bëjnë kundërsulme të shpejta. Problem nëse qëndrojnë aty, duke menduar për ndeshjen e parë 1-0: nëse një ekip ka stilin dhe identitetin e vet, duhet t’i tregojë ato. Sidomos në një rast kaq të rëndësishëm si çerekfinalja e Champions-it.

Exit mobile version