Uashington – Prokurorët federalë në SHBA kanë akuzuar liderin e një bande të dhunshme famëkeqe haitiane në lidhje me rrëmbimin e 16 amerikanëve vitin e kaluar, njoftoi të martën Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Germine Joly, 29 vjeç, i cili njihet edhe si “Yonyon”, akuzohet se drejton bandën “400 Mawozo” dhe është personi i parë i akuzuar nga prokurorët e Departamentit të Drejtësisë për përfshirje në rrëmbimin e misionarëve të krishterë. Ai u ekstradua në SHBA javën e kaluar dhe përballet me akuza të veçanta për trafikimin e armëve të zjarrit, thanë prokurorët.
Aktakuza thotë se Joly ishte në një burg të Haitit gjatë rrëmbimit, por megjithatë qe në gjendje të drejtonte operacionet e grupit të tij, duke përfshirë negociatat e shpërblimit për lirimin e robërve. Një nga qëllimet e deklaruara të marrjes së pengjeve ishte që qeveria haitiane ta lironte Joly nga burgu, thanë prokurorët.
Gjithsej 17 persona nga grupi misionar – 12 të rritur dhe pesë të mitur – u rrëmbyen më 16 tetor pak pasi vizituan një jetimore në Ganthier, në zonën Croix-des-Bouquets, ka thënë grupi. Grupi përfshinte 16 amerikanë dhe një kanadez.
Dymbëdhjetë nga misionarët e marrë peng u arratisën gjatë një ikjeje të guximshme gjatë natës, duke iu shmangur rrëmbyesve të tyre dhe ecur për kilometra në terren të vështirë, me dritë hënë, me një foshnjë dhe fëmijë të tjerë me vete. Sipas zyrtarëve të Ministrive të Ndihmës së Krishterë, agjencia me bazë në Ohajo, për të cilën misionarët punojnë, ata u orientuan nga yjet për të shpëtuar të sigurt pas një sprove rrëmbimi dymujore.
Rrëmbyesit e tyre nga banda “400 Mawozo” fillimisht kërkuan miliona dollarë si shpërblim. Pesë robër të tjerë kishin arritur më herët lirinë. Është ende e paqartë nëse është paguar ndonjë shpërblim.
Joly do të bëjë paraqitjen e tij të parë në gjykatë të mërkurën. Një avokat që ka përfaqësuar Joly në çështjen e trafikut të armëve të zjarrit nuk pranoi të komentojë të martën mbrëma.
“Ky rast tregon se Departamenti i Drejtësisë do të jetë i pamëshirshëm në përpjekjet tona për të gjurmuar këdo që rrëmben një shtetas amerikan jashtë vendit”, tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.
“Ne do të shfrytëzojmë shtrirjen e plotë të autoriteteve tona të zbatimit të ligjit për të dënuar këdo që është përgjegjës për cenimin e sigurisë së amerikanëve kudo në botë.”

