Site icon

Shkroi Kodin e Drejtësisë Sportive, reagon avokati Matera: Ja pse do t’i kthehen 15 pikët Juventusit

Sa më shumë afron data e përballjes në Kolegjin e Garancisë në Komitetin Olimpik Italian, aq më shumë Juventusi fiton besim se 15 pikët mbi çështjen e plusvalencave do t’u kthehen bardhezinjve. Këtë e garanton Pierluixhi Matera, personi dhe avokati që ka shkruar Kodin e Drejtësisë Sportive në Itali, i cili ka bërë një dalje shumë të bujshme duke specifikuar edhe autogolin e bërë nga Prokuroria sportive kundër “Zonjës së Vjetër”.“Fakti që Gjykata Arbitrare e Lacios ka dhënë urdhrin që letra e argumentimeve mes organizmit të konkurrencës, COVISOC, dhe Prokurorisë Sportive të përdoret në Kolegjin e Garancisë tregon se në dosjen kundër Juves janë bërë gabime të mëdha, më saktë duket një dënim paragjykues dhe hakmarrës ndaj Juventusit, për 3 arsye.

E para, sepse në shkallën e parë të gjykimit është shpallur e pafajshme, duke mos pasur një ligj të plusvalencave. Së dyti, prokuroria ka hedhur si provë kryesore të ashtuquajturin ‘libri i Fabio Paratiçit’, ndërkohë që ajo është vetëm një fletë A4, ku ai kishte mbajtur shënime mbi punën e pasardhësit të tij, Kerubini. Dhe e treta, fakti që edhe në shënimet e Kerubinit ai shprehte jodakordësi për manovrat e plusvalencave ‘fiktive’.

Ky term i fundit është shtuar në dosje nga vetë prokuroria dhe nuk është shkruar asnjëherë nga dora e Kerubinit. Kështu këto tri fakte tregojnë se hetimi është paragjykues dhe i manipuluar tekstualisht nga ata që akuzojnë.

Shkurt, unë nuk shoh marzhe që penalizimi me 15 pikë të konfirmohet nga Kolegji i Garancisë, madje këta të fundit nuk do të kërkojnë as shtyrje të çështje për rivlerësim, pasi kjo do të thoshte se nuk ka fakte bindëse për një dënim.

Tashmë jemi në gradën e katërt të gjykimit dhe nëse CONI nuk anulon këtë vendim tani, do t’i hapte rrugë Juventusit që të shkonte në KAS, një gjykatë, e cila bazohet totalisht mbi fakte dhe ligje konkrete, që në rastin e plusvalencave në Itali nuk ekzistojnë.

Dhe në KAS, nëse bardhezinjtë do të fitonin pafajësinë, jo vetëm që do të merrnin mbrapsht 15 pikët, por mbi të gjitha do të kishin mundësinë që të kalonin në kundërsulm, duke kërkuar edhe një tutelë ekonomike për dëmet e imazhit me shifra vërtet të rëndësishme”, ishte mendimi i avokatit Pierluixhi Matera.

Exit mobile version