Site icon

Shorti i Ligës së Kampioneve/ Darmian: Pranojmë çdo rival, jemi gati për betejë

Mateo Darmian po provon se mosha është thjesht një numër dhe është thelbësor në korsinë e djathtë të Interit, aty ku rendimenti tij është fantastik si në mbrojtje dhe në mesfushë.33-vjeçari pritet të niset sërish titullar të dielën ndaj Juventusit dhe me përgatitjet që kanë nisur, italiani tregon se grupi është më i bashkuar se kurrë: “Jemi një skuadër e bukur, jemi të bashkuar dhe kemi gjetur shpirtin e duhur. Ai i sfidës ndaj Portos duhet të jetë mentaliteti që do të na shoqërojë deri në fund të sezonit, pasi në këtë mënyrë mund të mbërrijmë të gjithë objektivat tanë. Kualifikimi në Champions League përveçse na ka dhënë shumë besim dhe qetësi, ishte një përgjigje për gjithë kritikat që morëm pas humbjes me Specian. Po e shijojmë, por gjithmonë duke u përgatitur për ndeshjen e radhës”.

JUVENTUSI – “E ndërsa flasim për ndeshjen e radhës, sigurisht që dueli me Juventusin nuk është një duel çfarëdo, siç ka konfirmuar vetë Darmian. “Do të jetë një supersfidë, e dimë të gjithë vlerën dhe rëndësinë që ka dhe sigurisht duam ta fitojmë. Po punojmë në mënyrën e duhur, besojmë se do të gjendemi gati. Duhet të përsërisim paraqitjen e mesjavës, sidomos në fazën difensive ku na duhet shumë përqendrim dhe kujdes”, tha italiani.

SHORTI – Pavarësisht se përgatitjet për Juventusin vazhdojnë, sigurisht që në Milano të gjithë janë me sytë nga shorti i orës 12:00 që do të hidhet sot, prej nga do të zbulohen çiftet, të cilat do të na dhurojnë çerekfinalet e Champions League.

“Si fillim është gjë shumë e bukur që shohim tri ekipe italiane në këtë fazë të kompeticionit. U lumturova shumë për kualifikimin e Napolit, na bën mirë të gjithëve. Gjithsesi, unë nuk kam asnjë preferencë për skuadrën që mund të na bjerë. Në këtë nivel janë të gjitha shumë të forta dhe e dimë që do të jetë e vështirë ndaj cilësdo, por i pres me shumë emocion ato dy ndeshje. Njëjtë do të jetë edhe për rivalët, i pret një betejë e ashpër me ne. Ky Inter mund të ëndërrojë të shkojë larg, por do t’i marrim ndeshjet hap pas hapi”, përfundoi numri 36 i zikaltërve.

Exit mobile version