Site icon

Shtëpia e Bardhë premton të evakuojë amerikanët nga Afganistani

Të dielën një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara do të gjejnë një mënyrë për të nxjerrë nga Afganistani amerikanët e mbetur atje, nëse ata duan të largohen. Por një ligjvënës i lartë republikan për çështjet me jashtë tha se kryengritësit talebanë po bëhen pengesë për futjen e amerikanëve në aeroportin e Kabulit.

Shefi i kabinetit i Shtëpisë së Bardhë Ron Klain tha për rrjetin televiziv CNN se zyrtarët amerikanë besojnë se rreth 100 amerikanë ndodhen ende në Afganistan që nga tërheqja përfundimtare e ushtrisë amerikane rreth një javë më parë. Më 30 gusht SHBA i dha fund luftës gati 20 vjeçare kundër terroristëve të al-Kaidës dhe talebanëve.

“Ne do të gjejmë mënyra për t’i nxjerrë ata nëse duan të largohen me gjasë përmes rifillimit të fluturimeve për në Katar”, tha zoti Klain. Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do t’i vazhdojnë përpjekjet për të ndihmuar ata afganë që bashkëpunuan me trupat amerikane.

Por një ligjvënës kryesor i opozitës, Michael McCaul, republikani kryesor në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, tha për rrjetin televiziv Fox News se bazuar në njoftimet e agjencive amerikane të zbulimit numri i amerikanëve që vazhdojnë të jenë në Afganistan llogaritet në disa qindra. Sipas tij, që nga momenti që SHBA përfundoi misionin asnjë qytetar amerikan nuk është evakuuar nga Afganistani.

“Talibanët po parashtrojnë kërkesa dhe nuk po lejojnë fluturimin e aeroplanëve”, tha zoti McCaul.

Exit mobile version