Site icon

Siti-Bajern/ Pep nuk ka dilema për rreshtimin, Tuhel humbet sulmuesin kryesor

Me Fill Fodenin ende të padisponueshëm, Pep Guardiola nuk pritet të ketë dyshime për trion sulmuese që do të rreshtojë sot në “Etihad” në përballjen e parë çerekfinale kundër ish-skuadrës së tij, Bajernit të Mynihut.Erling Haland, i cili u rikthye nga dëmtimi në ijë vetëm në ndeshjen e fundit të Premier Ligës kundër Sauthemptonit (shënoi edhe një dopietë), pritet të jetë kërcënimi kryesor për portën e skuadrës së Tomas Tuhelit, i mbështetur nga krahët nga Xhek Grilish dhe Rijad Mahrez, por edhe nga ai që është furnizuesi më i mirë i tij personal, Kevin de Bryjne. Mesfushori belg dhuroi asistin e 100-të në Premier Ligë në sfidën me “shenjtorët”.

Bajerni do të duhet të bëjë pa Erik Maksim Çupo-Moting në Mançester, në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve sot në mbrëmje. Sulmuesi nuk ishte i pranishëm në seancën e fundit stërvitore në qendrën stërvitore të Bajernit.

34-vjeçari nuk fluturoi drejt Mançesterit për shkak të problemeve në gju. Kjo është arsyeja pse kamerunasi mungoi në fitoren 1-0 në Fraiburg në Bundesligë të shtunën.

Ai ishte ndalur në infermieri vazhdimisht nga problemet e shpinës gjatë javëve të fundit. Një alternativë për të zëvendësuar sulmuesin titullar do të ishte Sadio Mane, i cili mbushi 31 vjeç ditën e djeshme dhe Tuhel mund t’i rezervojë dhuratën më të bukur senegalezit.

Exit mobile version